Epidemiologu shqiptar, Ilir Alimehmeti ka theksuar se duhen testime në grupe të popullatës për COVID 19.
Shkrimi i plotë:
Miqtë e mi!
“Vetëm ai që e ka mposhtur frikën e tij është me të vërtetë i lirë.”
Cit. Aristoteli
Duhet të kuptojmë që sa më shumë fillojmë dhe njohim shtrirjen e vërtetë të epidemisë, aq më shumë ridimensionojmë qëndrimet tona ndaj saj!
Një tjetër studim i kryer në një komunitet të tërë, këtë herë mbi efektivët e marinës së SHBA në bordin e aeroplanmbajtëses “Theodore Roosevelt”, na jap të dhëna të tjera kyçe mbi COVID-19.
Shkurtimisht:
• U testuan të gjithë personat në bord, 4800 persona.
• 600 persona dolën pozitivë me COVID-19,12,5% e totalit.
• 1 person kishte vdekur me COVID-19, 1/600 = 0,17%.
• 5 ishin të sëmurë rëndë, 5/600 = 0.83%.
• 60% e personave me COVID-19 ishin pa simptoma.
Kjo tregon se sëmundja përhapet dhe kalon në mënyrë të fshehtë te shumica dërrmuese e personave dhe vetëm një minorancë shumë e vogël sëmuret rëndë apo pëson fatalitet.
Këto të dhëna mund të jenë shumë të rëndësishme për politikëbërësit për ridimensionimin e masave në moshat aktive, pasi ky është momenti që shumica e shteteve po mendojnë si dhe kur të rihapen.
Gjithashtu na rikonfirmon idenë se duhen kryer testime në grupe të popullatës për të kuptuar me të vërtetë shtrirjen e sëmundjes.
Faktikisht, siç epidemiologët e kanë të qartë, aleati më i fortë i shpërndarjes së kësaj sëmundjeje është pikërisht aftësia e saj për të mos dhënë shenja në shumicën e popullatës.
Shifra 60% e asimptomatikëve është shifra më e lartë në SHBA deri më sot, pasi në këtë shtet ende nuk janë kryer teste të gjera të popullatës apo të komuniteteve në veçanti, dhe as studime të popullatës.
Ndërkohë CDC e SHBA-së deklaron se asimptomatikët janë 25-50% e të infektuarve.
KUJDES: ky interval kaq i gjerë tregon pikërisht mungesën e të dhënave të sakta që nuk disponojnë zyrtarët shëndetësorë të SHBA-së.
Kujdes mbi disa pika kyçe:
• Popullata e ushtarakëve është në moshë relativisht të re.
• Popullata e ushtarakëve është më aktive dhe e fuqishme.
• Shpesh, për arsye sekreti të shtetit raportimet e sëmundshmërisë në forcat e armatosura nuk pasqyrojnë të vërtetën dhe në raportime mbi sëmundje të tjera, sëmundshmëritë zakonisht janë të nënraportuara, pra ndoshta numri i të infektuarve mund të jetë edhe më i lartë se 12,5%.
Megjithatë, çdo informacion që grumbullohet e shton gjithnjë e më tej njohurinë mbi koronavirusin dhe është aleat kundër tij!
Dr. Shk. Ilir Alimehmeti
Epidemiolog Klinik
Fakulteti i Mjekësisë, UMT