Procesi i Brexit nuk ka ndikuar vetëm në ekonominë e vendeve, por edhe te shkëmbimi që bëhet midisi universiteteve nga Evropa dhe Mbretëria e Bashkuar.
Organizatorët e këtyre udhëtimeve në Francë dhe Gjermani bëjnë me dije se rregullat e ashpra pas Brexit, mund të ulin gjysmën e numrit të të rinjve evropianë që vizitojnë Britaninë.
Më parë ky numër kapte shifrat e 750 mijë studentëve.
Menaxheri i një agjencie udhëtimi në Francë tha për CNN se ka një rënie të madhe interesi.
“Biznesi im fokusohej 90% te Mbretëria e Bashkuar, 10% te Irlanda, tani gjithçka ka të bëjë me Irlandën”, tha ai për agjencinë e lajmeve CNN.
Ai theksoi se shkollat po interesohen më shumë për vizitat në Holandë ose Maltë.
Qeveria Britanike ka refuzuar kërkesat nga organizatorët për të përjashtuar fëmijët që marrin pjesë në udhëtime të shkurtra.
Sipas organizatorëve, moslejimi i fëmijëve të udhëtojnë do të jetë një problem ekonomik gjithashtu, pasi bizneset lokale do të pësojnë një humbje.
Ata gjithashtu, analizuan se kufizimet e reja kufitare mund të shkaktojnë dëme më të gjera dhe më afatgjata në marrëdhëniet e Britanisë me Evropën.
“Udhëtimet në shkollë nxisin mirëkuptimin ndërkulturor dhe zvogëlojnë paragjykimet”, shkruante Federata gjermane e organizatorëve të udhëtimeve shkollore.
Agjencitë franceze dhe gjermane thanë se vendimi i qeverisë britanike për të mos pranuar më kartat e identitetit kombëtar të BE-së për hyrjen në Britani, do të pengonte familjet më pak të pasura.
Kjo pasi, kostoja e një pasaporte mund të rrisë çmimin e një udhëtimi me 10% deri në 20% për fëmijë, në varësi të moshës.
Shkollat në Francë, Gjermani, Spanjë, Itali dhe vende të tjera të BE-së shpesh lejojnë udhëtime vetëm nëse çdo nxënës në klasë mund të marrë pjesë, që do të thotë se grupe me qoftë edhe një nxënës jo-anëtar të BE-së “nuk do ta konsiderojnë më Britaninë si një mundësi të zbatueshme”.
Federata gjermane i ka dërguar një letër kryeministrit britanik, Boris Johnson dhe Home Office, ku shkruhej se udhëtimet shkollore gjenerojnë të ardhura shumë të nevojshme për shumë familje pritëse në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe për muzeume, teatro dhe atraksione të tilla si Stonehenge, London Eye dhe Brighton Pavilion.