Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan zhvilloi një bisedë telefonike me kreun e Këshillit Europian, Charles Michel, ku në veçanti diskutuan për çështjen e Mesdheut Lindor.
“Presidenti Erdogan i bëri të ditur kreut të Këshillit Europian, Michel se Turqia pret që organizatat e BE-së dhe vendet anëtare të miratojnë një qëndrim objektiv dhe konsekuent për të gjitha çështjet rajonale, veçanërisht për Mesdheun Lindor, pa u mashtruar nga provokimet”, sipas Drejtorisë së Komunikimit të Turqisë.
Erdogan përsëriti se Turqia është e hapur për një zgjidhje që mbron të drejtat e të gjitha palëve me një dialog miqësor dhe negociata të bazuara në drejtësi.
“Turqia do të vazhdojë me vendosmëri të mbrojë të gjitha të drejtat dhe interesat e saj kudo dhe çdo herë kundër të gjitha iniciativave që injorojnë të drejtat e saj me hapa të njëanshëm”, theksoi ai.
Dy udhëheqësit diskutuan gjithashtu marrëdhëniet Turqi-BE dhe zhvillimet e tjera rajonale, thuhet në njoftim.
Turqia, vendi me vijën më të gjatë bregdetare në Mesdhe, ka dërguar anije shpimi për të kërkuar energji në shelfin e saj kontinental, duke thënë se Turqia dhe Republika Turke e Qipros Veriore (TRNC) kanë të drejta në rajon.
Greqia ka kontestuar eksplorimin e tanishëm energjetik të Turqisë në Mesdheun Lindor, duke u përpjekur të bllokojë territorin detar turk bazuar në ishuj të vegjël pranë bregdetit turk.
Dialogu për ndarjen e këtyre burimeve në mënyrë të drejtë do të jetë një fitore për të gjitha palët, theksojnë zyrtarët turq.