Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka deklaruar se nuk është më i gatshëm të takohet me ambasadorin amerikan në Ankara, Jeff Flake.
Reagimi i kreut të shtetit ka ardhur pasi ambasadori zhvilloi një takim me Kemal Kilic-daroglu, kandidati i partive më të mëdha të opozitës për presidencën, me rastin e zgjedhjeve të ardhshme të planifikuara për më 14 maj.
“Dyert tona për ambasadorin janë të mbyllura. T’i vijë turp”, ka thënë Erdogan, i cituar nga televizioni shtetëror turk TRT.
Ai ka thënë se interlokutori direkt i ambasadorit është vetë presidenti dhe ka shtuar se pas këtij episodi nuk ka më shanse që ai të kërkojë një takim me të.
“Në këto zgjedhje kemi nevojë t’i japim një mësim të mirë Amerikës”, ka vijuar më tej Erdogan, i indinjuar nga veprimi i diplomatit.
Më 14 maj, Turqia mban zgjedhjet parlamentare, përmes të cilave Perëndimi shpreson të shohë rënien e Erdogan, pas ftohjes së marrëdhënieve me Ankaranë dhe afrimin e saj me Rusinë.
Erdogan, që qeveris vendin prej 20 vjetësh, ka pësuar një rënie të popullaritetit të tij për shkak të qeverisjes me dorë të hekurt dhe tërmetit të muajit shkurt, kur u akuzua për reagim të ngadaltë ndaj tragjedisë, që u mori jetën rreth 50 mijë personave.