Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar të dielën për herë të parë se Ankaraja mund të pranojë hyrjen e Finlandës në NATO-s, por pa fqinjin e saj Suedinë.
Komentet e Erdoganit vijnë disa ditë pasi që Ankaraja ndërpreu bisedimet për pranimin e dy vendeve nordike në NATO.
Ai të dielën bëri një dallim të qartë mes qëndrimeve të Suedisë dhe Finlandës gjatë muajve të fundit.
“Nëse është e nevojshme, mund të japim përgjigje tjetër lidhur me Finlandën. Suedia do të shokohet kur të japim tjetër përgjigje për Finlandën”, shtoi Erdogan.
Presidenti turk ritheksoi kërkesën e tij që Suedia t’ia dorëzojë të dyshuarit, që Ankaraja i kërkon prej kohësh.
“Nëse dëshironi të hyni në NATO, na i dorëzoni terroristët”, shtoi presidenti turk.
Vendimi i tij mund të shuaj shpresat e NATO-s për zgjerimin e bllokut, në samitin e planifikuar të mbahet në korrik në kryeqytetin e Lituanisë.
Finlanda dhe Suedia kanë hequr dorë nga neutraliteti ushtarak pas shumë dekadash, duke aplikuar për t’iu bashkuar Aleancës Veri-Atlantike, si kundërpërgjigje të pushtimit rus të Ukrainës.
Turqia dhe Hungaria janë vendet e vetmet, që nuk kanë arritur të ratifikojnë kandidaturën e dy vendeve me votim në parlament.