Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan la të kuptohet sot se do të kandidojë për një mandat të fundit si president, duke njoftuar se më pas do të lërë të rinjtë për të drejtuar vendin.
“Ne do të fillojmë ndërtimin e shekullit të Turqisë me mbështetjen që kërkojmë për herë të fundit në emrin tonë nga populli ynë në vitin 2023,” tha presidenti i Turqisë gjatë një fjalimi në Samsuda, duke lënë të kuptohet se nëse ai fiton në zgjedhjet e 2023, do të jetë mandati i fundit për të.
Erdogan, në pushtet që nga viti 2003, dhe Partia e tij islamike-konservatore për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) shpresojnë të mbajnë kontrollin e vendit në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale që do të mbahen në qershor të vitit 2023.
Por presidenti turk po përballet me shumë probleme, ndër to edhe një inflacion që ka arritur në 84.4%.
Në tetor, Erdogan përsëriti dëshirën e tij për të përgatitur një kushtetutë të re turke që do të ishte “demokratike, e thjeshtë dhe vizionare”.
Sipas disa vëzhguesve, kjo u interpretua si një qëllim për të modifikuar kufirin e dy mandateve presidenciale të parashikuar nga kushtetuta turke.