Erion Zabeli firmos me Manchester 62: Talenti i formuar në Angli një potencial për Kombëtaren kuqezi

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Një tjetër talent shqiptar po ngjitet në skenën e futbollit ndërkombëtar. Mbrojtësi 20-vjeçar, Erion Zabeli, këtë sezon është transferuar në kampionatin e Gjibraltarit, për të qenë pjesë e ekipit Manchester 62 në Superligë.

Transferimi i Zabelit te klubi Manchester 62 u bë i mundur falë interesimit të drejtpërdrejtë të presidentit të klubit, amerikani Michael Anton Monsour, i njohur për aktivitetin e tij në botën e kinematografisë, por edhe si drejtues i Pittsburgh City United FC në SHBA.

Projekti ambicioz i Manchester 62 e ka bindur mbrojtësin shqiptar të hedhë hapin e radhës në karrierë, me synimin për t’u bërë një nga lojtarët kyç të ekipit. Madje, gjatë fazës përgatitore, Zabeli është parë edhe me shiritin e kapitenit në krah, një tregues i besimit që klubi i ka dhënë.

I lindur dhe rritur në Angli, Zabeli është formuar në akademitë e disa prej klubeve më të njohura angleze. Ai ka kaluar nëpër ekipet e moshave Watford, Fulham dhe së fundmi Brentford B, ndërsa ka pasur një eksperiencë edhe te skuadra portugeze Ericeirense. Me këto hapa, mbrojtësi shihet si një element me potencial të madh për të ardhmen.

Zabeli ka përfaqësuar Shqipërinë në të gjitha ekipet e grupmoshave, një futbollist i cili ka potencialin dhe aftësitë që t’i shërbejë kombëtares kuqezi në të ardhmen.

Transferimi në Gjibraltar shihet si një trampolinë për karrierën e tij, me synimin për të fituar eksperiencë dhe për të marrë përgjegjësi më të mëdha në fushë. Tashmë, te Manchester 62, Zabeli është gati të tregojë cilësitë e tij dhe të bëhet një emër i rëndësishëm në arenën ndërkombëtare.

Share This Article