Albania
Ermal Hasimja: Shqiptarët po i ‘harrojnë qëllimisht’ tmerret e së shkuarës komuniste
Në librin e tij të ri, Ermal Hasimja thotë se shqiptarët kanë vendosur që qëllimisht të “harrojnë” natyrën kriminale të regjimit komunist të vendit, si një mekanizëm mbrojtës.
Nga Fjori Sinoruka-BIRN
Përmes historisë së vërtetë të gjyshes së tij – e cila vinte nga Gjakova e Kosovës dhe qëndroi në Shqipëri gjatë komunizmit pa mundur të takojë familjen e saj në Kosovë për rreth 40 vjet – shkrimtari Ermal Hasimja kujton shumë aspekte tronditëse të sistemit komunist shqiptar, ku kalimi i kufijve ishte i pamundur dhe kampet e punës ishin një tipar i jetës.
Hasimja thotë se kur gjyshja e tij u lejua më në fund që të kthehej në Gjakovë në vitet 1990, ishte shumë vonë. Ajo nuk mund të kujtonte asgjë nga jeta e saj e hershme, sepse vuante nga Alzheimeri.
Në librin e tij të ri “E Shkuar e Pakryer”, Hasimja argumenton se ka një paralelizëm mes sëmundjes tragjike të gjyshes së tij dhe qëndrimit të shoqërisë shqiptare ndaj sistemit komunist.
Në një intervistë për BIRN, Hasimja tha se shumë njerëz nga Kosova që qëndruan në Shqipëri pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore përfunduan në burgje dhe kampet e punës. Shumë të tjerë që shkuan në Shqipëri gjatë kohës së komunizmit, patën të njëjtin fat.
Ai shpjegon si arsye frikën e komunistëve shqiptarë ndaj krahasimit të jetës nën sistemin komunist shqiptar dhe atij jugosllav – në dëm të Shqipërisë.
“Nëse dëgjon historitë dhe shikon numrat dhe statistikat… duket qartë se kishte një qëndrim të veçantë ndaj shqiptarëve të Kosovës nga regjimi komunist. Shumica e tyre vuajtën nën regjimin në një mënyrë apo një tjetër,” tha Hasimja për BIRN.
“Komunistët shqiptarë frikësoheshin nga krahasimet; po flas për krahasimin midis mënyrës se si jetonin shqiptarët në Kosovë nën sundimin jugosllav dhe si jetonin shqiptarët në Shqipëri nën sundimin e shqiptarëve,” shtoi ai.
Kërkuan parajsën – por gjetën “ferrin në tokë”
Ironikisht, ai kujton se disa shqiptarë të Kosovës ikën nga sistemi më tolerant në Jugosllavi drejt Shqipërisë, duke pritur të gjenin parajsën.
“Patëm shumë njerëz që ikën gjatë kohës së [zv/presidentit jugosllav Aleksandar] Rankovic në vitet 1950-1960, i cili ishte edhe ministër i Brendshëm i Jugosllavisë para se të shkarkohej. Ai ishte shumë i ashpër me shqiptarët,” kujton Hasimja.
“Kosovarët që ikën nga Jugosllavia në atë kohë dhe shkuan në Shqipëri, sollën me vete imazhin e një vendi të idealizuar. Ka një mrekulli! Ka parajsë! – sepse e vetmja gjë që kishin parë ishte televizioni shqiptar, i cili ishte plot me propagandë,” shtoi ai.
“Ata ikën për të shpëtuar nga jugosllavët dhe erdhën në Shqipëri – por gjetën ferrin në tokë. Shumica e atyre që ikën në atë kohë përfunduan në kampet e përqendrimit, pikërisht që të mos kishin mundësinë të qarkullojnë në shoqëri dhe të thonin: ‘Po, prit! Gjërat janë më mirë nën sundimin jugosllav sesa nën sundimin e Shqipërisë!’” tha Hasimja.
Problemi nuk ishte Enver Hoxha, por Marksizmi

Hasimja mendon se, ashtu si gjyshja e tij që vuante nga Alzheimeri kur u lejua të kthehej në Gjakovë në vitet 1990 dhe nuk mund të kujtonte asgjë, edhe shoqëria shqiptare vuan gjithashtu nga një lloj Alzheimeri dhe është e paaftë të kujtojë siç duhet komunizmin. Ai e sheh këtë si një mekanizëm mbrojtës.
Ai i tha BIRN se kur filloi të shkruante librin, ishte vetëm për arsye personale dhe për të mbledhur histori nga të afërmit e tij.
“Por ndërsa shkruaja librin, perdja u hap dhe hyri studiuesi i shkencave politike, dhe ky është momenti kur pashë analogjinë mes efektit që Alzheimeri pati tek gjyshja ime, të cilin e konceptoj si një lloj vetëvrasjeje të trurit, një lloj përpjekje për të shkatërruar burimin e vuajtjes me shkatërrimin total të memories, dhe nga ana tjetër llojin e vetë-imponuar të Alzheimerit të shoqërisë shqiptare në lidhje me komunizmin,” tha Hasimja për BIRN.
“Sot mendoj se brezat e rinj mund të kenë materiale dhe informacione për komunizmin… por e gjithë vëmendja është përqendruar tek aspekti tragjik i komunizmit… flitet për kampet, internimet dhe burgjet,” tha Hasimja.
“Por problemi është se të rinjtë e sotëm nuk janë të qartë për këtë aspekt të vuajtjes, dhe ende mendojnë se komunizmi ishte një kohë normale. Ndër shumicën e tyre, nëse i pyet për komunizmin, ata nuk kanë kuptuar çka ishte thelbësore për komunizmin. Ky është shqetësimi im si shkencëtar politik,” shtoi Hasimja.
“Nuk kuptojnë se e keqja e komunizmit nuk erdhi drejtpërdrejt nga [lideri komunist shqiptar] Enver Hoxha, ose Mehmet Shehu, ose nga [gruaja e Hoxhës] Nexhmie Hoxha.
“Komunizmi… është një ideologji që thotë se do të shkatërrojë pasurinë private, do të krijojë diktaturën e proletariatit, do të krijojë monopolin e partisë komuniste – dhe do të përdorë dhunë dhe terror dhe propagandë për të menaxhuar shoqërinë. Nuk ka mundësi që të prodhojë ndonjë produkt tjetër përveç shkatërrimit total të lirisë,” shtoi ai.
“Nuk janë vetëm të rinjtë [ata që nuk kuptojnë]. Kam folur shpesh me ish të përndjekur që kanë vuajtur drejtpërdrejt dhe, në fund, ata gjithashtu nuk kuptojnë se e keqja vinte nga Marksi. Enver Hoxha ishte një psikopat kriminel – por nëse nuk do të kishte qenë Enveri, do të ishte dikush tjetër,” përfundoi ai.
Një takim i vetëm i lejuar në vitet 1970
Në Shqipërinë komuniste, kalimi pa leje i kufirit ishte një krim shumë i rëndë. Kjo ishte arsyeja pse gjyshja e Hasimes nuk mundi të vizitonte pjesën tjetër të familjes së saj në Gjakovë për dekada.
Megjithatë, në vitet e para të regjimit, gjyshi i tij ishte ende në gjendje të kalonte malet për të parë anëtarë të familjes, edhe pasi kufiri u mbyll zyrtarisht kur Shqipëria prishi marrëdhëniet me Jugosllavinë e Titos në vitin 1948.
Por në fund, gjyshi i tij u dënua me 12 vjet burg.
“Ka pasur vetëm një takim në fund të viteve ‘70, kur një ansambël kulturor nga Kosova erdhi për herë të parë në Shqipëri, me lëvizje jashtëzakonisht të kufizuara, dhe një nga njerëzit kryesorë në ansambël ishte Sabah Bytyci, një i afërm i familjes dhe drejtori i muzikës në një shkollë në Gjakovë,” tha ai.
“Ata erdhën të performonin në Tiranë dhe në kthim kërkuan nga Ministria e Brendshme shqiptare që gjyshja ime të mund t’i shoqëronte ata në kufi, duke ditur situatën në të cilën ndodhej ajo. Ata [autoritetet shqiptare] e lejuan të shkonte në kufi,” tha Hasimja.
“Dhe e gjithë familja [në anën tjetër, Gjakovë] shkoi gjithashtu në kufi. Ajo arriti në kufi dhe mund t’i shihte ata, 200-300 metra larg,” shtoi Hasimja.
“Njeriu më i rëndësishëm për sigurinë në atë kohë në Kosovë ishte burri i tezes sime, Xhevdet Hamza. Ai shkoi atje dhe i kërkoi policit serb nëse mund ta lejonte gruan që të takonte këta njerëz dhe pastaj të kthehej. Polici serb tha: ‘Dakord, nuk ka problem. Ka vetëm një problem – kur ajo të kthehet, do të shkojë drejtpërdrejt në burg,’” tha Hasimja.
“Përballesh me një lloj paradoksi ku polici ‘i keq’ jugosllav kuptoi dramën njerëzore dhe tha: ‘Mund të kaloni.’… Dhe ky ishte i vetmi takim. Më pas, në vitet 1990, ajo shkoi në Gjakovë, pasi gjyshi im kishte vdekur disa muaj më parë,” shtoi Hasimja.
“Por ajo kishte Alzheimer. Ajo shkoi atje dhe nuk kujtonte asgjë. Nuk dinte as ku ishte,” përfundoi ai.
Albania
Veliaj dhe Meta urojnë Vitin e Ri 2026 nga qelia, me mesazhe shprese dhe bashkimi
Dy figura të politikës shqiptare, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, kanë përcjellë urimet e tyre për Vitin e Ri 2026, edhe pse ndodhen në paraburgim.
Erion Veliaj iu drejtua qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë me një mesazh të gjatë e emocional, ku uroi shëndet, lumturi, arritje dhe shpresë për vitin e ri. Në fjalën e tij, ai vuri theks të veçantë te solidariteti dhe mbështetja për shtresat më në nevojë të shoqërisë.
“Një urim zemre për të pamundurit, për të sëmurët, për ata që ndihen të braktisur, për familjet në vështirësi, për emigrantët që punojnë me djersë larg shtëpisë – ju uroj forcë dhe ngrohtësi këtë vit të ri.”, shkruan Veliaj.

Ndërkohë, edhe ish-presidenti Ilir Meta përcolli një mesazh urimi për qytetarët shqiptarë, duke u dëshiruar shëndet, paqe, gëzim dhe mbarësi. Meta e përshkroi vitin 2026 si “vitin e bashkimit, të guximit qytetar dhe të ringjalljes së shpresës”, duke nënvizuar nevojën për përballje të vendosur me sfidat dhe angazhim për një Shqipëri më të drejtë, më sociale dhe më njerëzore. Ai theksoi rëndësinë e barazisë para ligjit, respektimit të lirive dhe dinjitetit njerëzor, si dhe krijimit të mundësive që çdo qytetar të jetojë me siguri dhe mirëqenie në vendin e tij.

Albania
Bebet e para të 2026! Dy vajza lindin në maternitetet e Tiranës
Dy vajza janë bebet e para të lindura në Shqipëri në vitin 2026. Njëra erdhi në jetë në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, ndërsa tjetra në maternitetin “Koço Gliozheni”.
Albania
Kisha Ortodokse nesër shërbesë për Vitin e Ri, përkon me 70-vjetorin e kryepeshkopit Joan
Të enjten më 1 janar 2026 në kishat ortodokse të Shqipërisë do zhvillohet Liturgjia e Shenjtë për kremtimin e Shën Vasilit. 1 janari përkon edhe me fillimin e vitit të ri kalendarik, teksa do të zhvillohet edhe Dhoksologjinë e Fillimit të Vitit të Ri, një lutje specifike e kishës ortodokse.
Në Tiranë, ceremonia do zhvillohet në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” dhe do fillojë në orën 08:00 të mëngjesit.
Gjithashtu, 1 janari përkon edhe me ditëlindjen e 70-të të Kryepeshkopit Joan, me Kryebariun e kishës që do drejtojë Shërbesën e Shenjtë në Tiranë. Pas Liturgjisë Hyjnore do ketë dhe pritje te Qendra Sinodike.
“Të dashur besimtarë, ju njoftojmë që ditën e enjte më 1 JANAR 2026, ora 8:00, do të zhvillohet Liturgji Hyjnore në Katedralen e Ngjalljes së Krishtit në Tiranë. Këtë ditë kremtojmë Rrethprerjen në mish të Zotit tonë Jisu Krisht, Shën Vasilin e Madh dhe Dhoksologjinë e Fillimit të Vitit të Ri”, njofton Kisha Ortodokse.
-
Albania22 hours ago“Wizz Air” le në mëshirë të fatit pasagjerët e linjës Londër-Tiranë
-
UK3 days agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania3 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania5 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK5 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
UK22 hours agoVizitorët, tarifë për të hyrë në Britani – Shtetasit që udhëtojnë pa viza duhet të aplikojnë për autorizim
-
Sports3 days agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK2 days agoBllokohet hekurudha Angli-BE/ Probleme me energjinë elektrike, pezullohen udhëtimet për mijëra pasagjerë
