Connect with us

Albania

Ermal Hasimja: Shqiptarët po i ‘harrojnë qëllimisht’ tmerret e së shkuarës komuniste

Published

on

Në librin e tij të ri, Ermal Hasimja thotë se shqiptarët kanë vendosur që qëllimisht të “harrojnë” natyrën kriminale të regjimit komunist të vendit, si një mekanizëm mbrojtës.

Nga Fjori Sinoruka-BIRN

Përmes historisë së vërtetë të gjyshes së tij – e cila vinte nga Gjakova e Kosovës dhe qëndroi në Shqipëri gjatë komunizmit pa mundur të takojë familjen e saj në Kosovë për rreth 40 vjet – shkrimtari Ermal Hasimja kujton shumë aspekte tronditëse të sistemit komunist shqiptar, ku kalimi i kufijve ishte i pamundur dhe kampet e punës ishin një tipar i jetës.

Hasimja thotë se kur gjyshja e tij u lejua më në fund që të kthehej në Gjakovë në vitet 1990, ishte shumë vonë. Ajo nuk mund të kujtonte asgjë nga jeta e saj e hershme, sepse vuante nga Alzheimeri.

Në librin e tij të ri “E Shkuar e Pakryer”, Hasimja argumenton se ka një paralelizëm mes sëmundjes tragjike të gjyshes së tij dhe qëndrimit të shoqërisë shqiptare ndaj sistemit komunist.

Në një intervistë për BIRN, Hasimja tha se shumë njerëz nga Kosova që qëndruan në Shqipëri pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore përfunduan në burgje dhe kampet e punës. Shumë të tjerë që shkuan në Shqipëri gjatë kohës së komunizmit, patën të njëjtin fat.

Ai shpjegon si arsye frikën e komunistëve shqiptarë ndaj krahasimit të jetës nën sistemin komunist shqiptar dhe atij jugosllav – në dëm të Shqipërisë.

“Nëse dëgjon historitë dhe shikon numrat dhe statistikat… duket qartë se kishte një qëndrim të veçantë ndaj shqiptarëve të Kosovës nga regjimi komunist. Shumica e tyre vuajtën nën regjimin në një mënyrë apo një tjetër,” tha Hasimja për BIRN.

“Komunistët shqiptarë frikësoheshin nga krahasimet; po flas për krahasimin midis mënyrës se si jetonin shqiptarët në Kosovë nën sundimin jugosllav dhe si jetonin shqiptarët në Shqipëri nën sundimin e shqiptarëve,” shtoi ai.

Kërkuan parajsën – por gjetën “ferrin në tokë”

Ironikisht, ai kujton se disa shqiptarë të Kosovës ikën nga sistemi më tolerant në Jugosllavi drejt Shqipërisë, duke pritur të gjenin parajsën.

“Patëm shumë njerëz që ikën gjatë kohës së [zv/presidentit jugosllav Aleksandar] Rankovic në vitet 1950-1960, i cili ishte edhe ministër i Brendshëm i Jugosllavisë para se të shkarkohej. Ai ishte shumë i ashpër me shqiptarët,” kujton Hasimja.

“Kosovarët që ikën nga Jugosllavia në atë kohë dhe shkuan në Shqipëri, sollën me vete imazhin e një vendi të idealizuar. Ka një mrekulli! Ka parajsë! – sepse e vetmja gjë që kishin parë ishte televizioni shqiptar, i cili ishte plot me propagandë,” shtoi ai.

“Ata ikën për të shpëtuar nga jugosllavët dhe erdhën në Shqipëri – por gjetën ferrin në tokë. Shumica e atyre që ikën në atë kohë përfunduan në kampet e përqendrimit, pikërisht që të mos kishin mundësinë të qarkullojnë në shoqëri dhe të thonin: ‘Po, prit! Gjërat janë më mirë nën sundimin jugosllav sesa nën sundimin e Shqipërisë!’” tha Hasimja.

Problemi nuk ishte Enver Hoxha, por Marksizmi

Emrat e njerëzve të burgosur gjatë regjimit komunist në muzeun “Shtëpia me Gjethe”. Foto: BIRN.

Hasimja mendon se, ashtu si gjyshja e tij që vuante nga Alzheimeri kur u lejua të kthehej në Gjakovë në vitet 1990 dhe nuk mund të kujtonte asgjë, edhe shoqëria shqiptare vuan gjithashtu nga një lloj Alzheimeri dhe është e paaftë të kujtojë siç duhet komunizmin. Ai e sheh këtë si një mekanizëm mbrojtës.

Ai i tha BIRN se kur filloi të shkruante librin, ishte vetëm për arsye personale dhe për të mbledhur histori nga të afërmit e tij.

“Por ndërsa shkruaja librin, perdja u hap dhe hyri studiuesi i shkencave politike, dhe ky është momenti kur pashë analogjinë mes efektit që Alzheimeri pati tek gjyshja ime, të cilin e konceptoj si një lloj vetëvrasjeje të trurit, një lloj përpjekje për të shkatërruar burimin e vuajtjes me shkatërrimin total të memories, dhe nga ana tjetër llojin e vetë-imponuar të Alzheimerit të shoqërisë shqiptare në lidhje me komunizmin,” tha Hasimja për BIRN.

“Sot mendoj se brezat e rinj mund të kenë materiale dhe informacione për komunizmin… por e gjithë vëmendja është përqendruar tek aspekti tragjik i komunizmit… flitet për kampet, internimet dhe burgjet,” tha Hasimja.

“Por problemi është se të rinjtë e sotëm nuk janë të qartë për këtë aspekt të vuajtjes, dhe ende mendojnë se komunizmi ishte një kohë normale. Ndër shumicën e tyre, nëse i pyet për komunizmin, ata nuk kanë kuptuar çka ishte thelbësore për komunizmin. Ky është shqetësimi im si shkencëtar politik,” shtoi Hasimja.

“Nuk kuptojnë se e keqja e komunizmit nuk erdhi drejtpërdrejt nga [lideri komunist shqiptar] Enver Hoxha, ose Mehmet Shehu, ose nga [gruaja e Hoxhës] Nexhmie Hoxha.

“Komunizmi… është një ideologji që thotë se do të shkatërrojë pasurinë private, do të krijojë diktaturën e proletariatit, do të krijojë monopolin e partisë komuniste – dhe do të përdorë dhunë dhe terror dhe propagandë për të menaxhuar shoqërinë. Nuk ka mundësi që të prodhojë ndonjë produkt tjetër përveç shkatërrimit total të lirisë,” shtoi ai.

“Nuk janë vetëm të rinjtë [ata që nuk kuptojnë]. Kam folur shpesh me ish të përndjekur që kanë vuajtur drejtpërdrejt dhe, në fund, ata gjithashtu nuk kuptojnë se e keqja vinte nga Marksi. Enver Hoxha ishte një psikopat kriminel – por nëse nuk do të kishte qenë Enveri, do të ishte dikush tjetër,” përfundoi ai.

Një takim i vetëm i lejuar në vitet 1970

Në Shqipërinë komuniste, kalimi pa leje i kufirit ishte një krim shumë i rëndë. Kjo ishte arsyeja pse gjyshja e Hasimes nuk mundi të vizitonte pjesën tjetër të familjes së saj në Gjakovë për dekada.

Megjithatë, në vitet e para të regjimit, gjyshi i tij ishte ende në gjendje të kalonte malet për të parë anëtarë të familjes, edhe pasi kufiri u mbyll zyrtarisht kur Shqipëria prishi marrëdhëniet me Jugosllavinë e Titos në vitin 1948.

Por në fund, gjyshi i tij u dënua me 12 vjet burg.

“Ka pasur vetëm një takim në fund të viteve ‘70, kur një ansambël kulturor nga Kosova erdhi për herë të parë në Shqipëri, me lëvizje jashtëzakonisht të kufizuara, dhe një nga njerëzit kryesorë në ansambël ishte Sabah Bytyci, një i afërm i familjes dhe drejtori i muzikës në një shkollë në Gjakovë,” tha ai.

“Ata erdhën të performonin në Tiranë dhe në kthim kërkuan nga Ministria e Brendshme shqiptare që gjyshja ime të mund t’i shoqëronte ata në kufi, duke ditur situatën në të cilën ndodhej ajo. Ata [autoritetet shqiptare] e lejuan të shkonte në kufi,” tha Hasimja.

“Dhe e gjithë familja [në anën tjetër, Gjakovë] shkoi gjithashtu në kufi. Ajo arriti në kufi dhe mund t’i shihte ata, 200-300 metra larg,” shtoi Hasimja.

“Njeriu më i rëndësishëm për sigurinë në atë kohë në Kosovë ishte burri i tezes sime, Xhevdet Hamza. Ai shkoi atje dhe i kërkoi policit serb nëse mund ta lejonte gruan që të takonte këta njerëz dhe pastaj të kthehej. Polici serb tha: ‘Dakord, nuk ka problem. Ka vetëm një problem – kur ajo të kthehet, do të shkojë drejtpërdrejt në burg,’” tha Hasimja.

“Përballesh me një lloj paradoksi ku polici ‘i keq’ jugosllav kuptoi dramën njerëzore dhe tha: ‘Mund të kaloni.’… Dhe ky ishte i vetmi takim. Më pas, në vitet 1990, ajo shkoi në Gjakovë, pasi gjyshi im kishte vdekur disa muaj më parë,” shtoi Hasimja.

“Por ajo kishte Alzheimer. Ajo shkoi atje dhe nuk kujtonte asgjë. Nuk dinte as ku ishte,” përfundoi ai.

Continue Reading
Advertisement

Albania

Dallgët rrezikojnë përplasjen e tragetit, rreth 1000 pasagjerë priten të udhëtojnë me këtë linjë drejt Italisë

Published

on

By

Porti i Vlorës vijon të mbetet i ekspozuar ndaj motit të keq pasi kalata ku ankorohen tragetet sa here ka det me dallge rrezikon përplasjen e tragetit.

Sot trageti “European Star” ka arritur të hyjë në kalatë e portit me ndihmën e rimorkiatorëve.

Sipas njoftimit zyrtar, trageti pritet të niset drejt Italisë, ndërsa procesi i imbarkimit do të fillojë menjëherë. Rreth 1000 pasagjerë pritet të udhëtojnë me këtë linjë.

Ndërkohë, kompania bën me dije se gjatë ditës së nesërme do të njoftojë pasagjerët për çdo ndryshim të mundshëm të orarit të lundrimit, pasi parashikimet meteorologjike tregojnë për përkeqësim të mëtejshëm të kushteve të motit.

Continue Reading

Albania

Merr fund epoka e qirave të lira, arsyet e shtrenjtimit

Published

on

By


SHARE

Qiratë ishin grupi me rritjen më të lartë të çmimeve në muajin nëntor 2025, me 6.7 për qind duke forcuar më tej tendencën që nisi nga vera e këtij viti. Ato ishin  përbërësi kryesor i inflacionit në nëntor, duke zhvendosur ushqimet.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë për një trend rritës të fortë gjatë vjeshtës 2025 që po vazhdon. Ekspertët e lidhin ecurinë ë e shtrenjtimit të qirave me një seri faktorësh që lidhen me kërkesën dhe ofertën.

Kryesorja lidhet me faktin se rritja e çmimeve të banesave ka bërë të papërballueshëm blerjen e një apartamenti të ri për shumicën e të punësuarve. Kur blerja e një shtëpie bëhet më e shtrenjtë, njerëzit detyrohen të qëndrojnë më gjatë me qira ose të kërkojnë shtëpi me qira në vend që të blejnë. Kjo rrit numrin e qiraxhinjve dhe për pasojë çmimet ngrihen. Edhe pronarët që kanë kredi të shtrenjta shpesh rrisin qiranë për të mbuluar pagesat e tyre mujore.

Gjithashtu kërkesa për qira po përballet me një presion në rritje për vizitorët e huaj. Shqipëria është atraktive për turistët edhe për shkak se çmimet e qirave ditore janë të lira, me vetëm 50 euro nata në zonën e qendrës. Dhënia me qira ditore e shumë apartamenteve për turistët ka çuar në rritjen e çmimeve për qiratë afatgjata jashtë trendëve normale.

Ekspertët e tregut pohojnë se një pjesë e apartamenteve të shituara janë bosh dhe përdoren vetëm pak ditë në vit nga emigrantët dhe huajt, duke bërë që të mos hidhen në tregun e qirave.

Familjet me buxhete të kufizuara po e shtyjnë blerjen e shtëpisë dhe detyrohen të paguajnë qira gjithnjë e më të larta, ndërsa agjentët imobiliarë pohojnë se edhe në zonat periferike janë të pakta apartamentet me çmime të lira.

Agjentët e tregut të qirasë nënvizojnë se shumë pak prona listohen me çmime 300–350 euro, kryesisht në periferitë “Astir” ose “Fresku”, të cilat merren menjëherë nga qiramarrësit.

Në segmentin e qirave rezidenciale, sivjet çmimet për apartamente 1+1 në Tiranë kanë arritur deri në 900 euro në muaj në zonat më të kërkuara të qytetit. Të dhënat nga agjencitë e pasurive të patundshme tregojnë se tregu i qiradhënies po shënon rritje të vazhdueshme, me çmime që janë rritur mesatarisht 6 deri në 57% në vetëm një vit.

Në Tiranë, zona më e shtrenjtë për qiratë e apartamenteve vijon të mbetet pranë stadiumit “Air Albania”. Për banesa 2+1, çmimi mesatar arriti në 1,800 euro në muaj. Krahasuar me vjet çmimet u rritën me 13%.

Në zonën e ish-Bllokut, çmimi për apartamente 1+1 në shtator të këtij viti arriti 650 euro në muaj. Krahasuar me vjet, çmimet e qirasë janë rritur me 16%.  Për apartamentet 2+1, çmimi i qirasë ka arritur 900 euro apo 6% më shumë se 2024.

Në Rrugën e Elbasanit, çmimi i qirave për apartamentet 1+1 është 700 euro në muaj në 2025 apo rreth 8% më shumë se vjet. Rritje të ndjeshme në këtë zonë kanë shënuar qiratë për prona 2+1.

Qiratë për apartamentet 1+1 në zonën e Komunës së Parisit vazhdojnë të qëndrojnë në të njëjtat nivele si gjatë vitit 2024, mesatarisht rreth 650 euro në muaj. Për apartamentet 2+1, çmimet e qirave arritën 800 euro në muaj apo 14% më shumë se në vitin 2024.

Ndryshime çmimesh janë shënuar edhe për qiratë në zonën e Liqenit Artificial. Çmimet e qirave për apartamente 1+1 arritën në 900 euro në muaj. Krahasuar me vjet, çmimet u rritën 13%. Për apartamentet 2+1, çmimet arritën në 1,400 euro në muaj, nga 1,200 euro në muaj që ishin vjet. Krahasuar me vjet, çmimet janë shtrenjtuar 17%.

Në kontrast, turistët që marrin me qira për periudha afatshkurtra, mund të gjejnë shtëpi me qira në kryeqytet përmes platformave online edhe në 40-60 euro/ditë, shumë më lirë sesa në kryeqytete të njohura europiane, ku mesatarisht në ditë duhet të paguajnë më shumë se 100 euro.

Të dhënat e AirDNA, njësia analitike e platformës së qiradhënies Airbnb, bënë të ditur se në fund të 2024-s, në gjithë vendin kishte rreth 21 mijë njësi të listuara, nga të cilat rreth 3 mijë në Tiranë.

Inflacioni i përgjithshëm ka luajtur gjithashtu rol. Kostoja e materialeve të ndërtimit, taksat, shërbimet dhe mirëmbajtja e banesave është rritur, dhe pronarët e transferojnë këtë rritje tek qiramarrësit. Në disa qytete, situata rëndohet edhe nga përdorimi i shumë apartamenteve për qira afatshkurtër turistike, të cilat janë më fitimprurëse.

Edhe në  vijim çmimet e qirave pritet të vijojnë rritjen për shkak të kërkesës së lartë, dhe mungesës së ofertës të përballueshme.

Nëse qeveria dhe bashkitë nuk ndërhyjnë duke promovuar ndërtim banesash me çmime të përballueshme dhe të aplikohen politika për banesa sociale barra për qiramarrësit nuk do të lehtësohet, përndryshe rritja do të jetë edhe me agresive lajmërojnë aktorët e tregut.

Monitor

Continue Reading

Albania

Programi, “take-away” pa mbetje, bar-restorantet drejt enëve të ripërdorshme

Published

on

By

Programi Kombëtar i Parandalimit të Krijimit të Mbetjeve parashikon një paketë masash që synojnë uljen e mbetjeve në disa sektorë kyç të ekonomisë, nga ushqimi te ndërtimi, me afate të ndryshme zbatimi.

Mes tyre, sektori i hotelerisë, restoranteve dhe kateringut (HoReCa) shihet si një nga fushat me potencial të lartë për të reduktuar ndjeshëm mbetjet që gjenerohen çdo ditë.

Fokusi vihet te ushqimet dhe pijet “take-away” (me vete), ku përmes dy masave të veçanta parashikohet futja e enëve të ripërdorshme si alternativë ndaj ambalazheve njëpërdorimshe.

Masa e parë, ajo me numër 38, e titulluar “Vendosja e detyrimit për rimbushje për sektorin e ushqimit që ambalazhohet me vete (take-away)”, vendos rregulla të detyrueshme për operatorët e HoReCa-s. Sipas saj, shitësit me pakicë që ofrojnë pije të nxehta apo të ftohta dhe/ose ushqime të gatshme për t’u marrë me vete, do të duhet të krijojnë sisteme që u lejojnë klientëve të sjellin enët e tyre për rimbushje.

Në këto raste, produktet duhet të shiten me të njëjtin çmim dhe në kushte po aq të favorshme sa ato të ofruara në ambalazhe njëpërdorimshe. Po ashtu, operatorët do të jenë të detyruar të informojnë qartë konsumatorët në pikat e shitjes, përmes njoftimeve të dukshme dhe lehtësisht të lexueshme, mbi këtë mundësi.

Ndërkohë, masa e dytë, ajo nr. 39, e parashikon këtë praktikë si opsionale. E titulluar “Vendosja e opsionit për ofrimin e ripërdorimit në sektorin e ushqimit që ambalazhohet me vete (take-away)”, ajo u kërkon operatorëve të HoReCa-s t’u ofrojnë klientëve mundësinë e zgjedhjes së produkteve të ambalazhuara në enë të ripërdorshme, përmes një sistemi të dedikuar ripërdorimi.

Edhe në këtë rast, shitësit do të duhet të afishojnë njoftime të qarta për të informuar konsumatorët mbi disponueshmërinë e këtij opsioni. Për më tepër, programi përcakton që të paktën 10% e produkteve të shiten në formate ambalazhi të ripërdorshme, ndërsa çmimi dhe kushtet e shitjes të jenë të njëjta me ato të ambalazheve njëpërdorimshe.

Plani i qeverisë parashikon që aktet nënligjore që do të detajojnë këto masa të miratohen gradualisht përgjatë disa viteve, ndërsa dy masat që lidhen me enët e ripërdorshme për ushqimet dhe pijet “take-away” pritet të hyjnë në fuqi në vitin 2027.

Monitor

Continue Reading
LIVE ALBUK TV
ALBUK TV LIVE
Bota2 hours ago

“Vajza ime mbijetoi falë një zinxhiri të pabesueshëm ngjarjesh”, heroi 55-vjeçar i Crans-Montanës shpëtoi dhjetë të rinj: Pashë njerëz që digjeshin të gjallë dhe…

Albania2 hours ago

Dallgët rrezikojnë përplasjen e tragetit, rreth 1000 pasagjerë priten të udhëtojnë me këtë linjë drejt Italisë

Bota2 hours ago

Maduro dhe gruaja e tij janë kapur nga Delta Force e ushtrisë amerikane; Ministri i Mbrojtjes i Venezuelës thotë se të gjitha forcat e armatosura do të jenë të vendosura në vend

Bota2 hours ago

Burime zyrtare: Maduro dhe bashkëshortja e tij u kapën nga Delta Force amerikane

Bota2 hours ago

Arrestimi i narko-diktatorit/ Mediat amerikane: Maduro dhe gruaja e tij u kapën nga forcat Delta

Bota3 hours ago

Trump thotë se SHBA-të kanë ‘kapur’ Presidentin Venezuelian Maduro

Bota4 hours ago

‘Një gjendje trazirash të jashtme’, Maduro kërkon një plan mobilizimi

Bota5 hours ago

Shtatë shpërthime të forta në kryeqytetin e Venezuelës (video)

Bota5 hours ago

Qeveria e Venezuelës hedh poshtë dhe dënon agresionin ushtarak të SHBA-së

Bota5 hours ago

Dëgjohen shpërthime ndërsa tymi ngrihet në kryeqytetin e Venezuelës, Karakas; Presidenti Trump urdhëroi sulme ajrore

UK6 hours ago

Paralajmërimet për motin janë zgjeruar, ndërsa bora dhe akulli mbulojnë pjesë të Mbretërisë së Bashkuar

UK6 hours ago

Faqet e para të gazetave në UK

Bota6 hours ago

Katër sfida me të cilat përballet kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Mamdani

UK6 hours ago

Dy trupa të nxjerrë nga deti, kërkimet vazhdojnë

Albania6 hours ago

Merr fund epoka e qirave të lira, arsyet e shtrenjtimit

Albania3 days ago

“Wizz Air” le në mëshirë të fatit pasagjerët e linjës Londër-Tiranë

UK5 days ago

FOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli

Albania5 days ago

U kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri

Albania7 days ago

Shqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”

UK3 days ago

Vizitorët, tarifë për të hyrë në Britani – Shtetasit që udhëtojnë pa viza duhet të aplikojnë për autorizim

UK7 days ago

Rrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër

Sports5 days ago

Ish-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën

UK4 days ago

Bllokohet hekurudha Angli-BE/ Probleme me energjinë elektrike, pezullohen udhëtimet për mijëra pasagjerë

Albania5 days ago

Hetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë

Albania4 days ago

Ironia e një dosje sekrete në Harvard: Amerikanë mbroni Trashëgiminë Ilire, Shqiptarët pas ’90-s e shkatërruan …

UK4 days ago

Bashkimi me euron do të kishte mbuluar koston e NHS-së

Bota5 days ago

Mijëra vetë të ekspozuar ndaj fruthit, alarm në një prej aeroporteve më të ngarkuar në botë

UK4 days ago

Britania marrëveshje me Angolën dhe Namibinë për kthimin e emigrantëve

Albania4 days ago

Emigrantët kthehen, por Shqipëria nuk i mban

Bota5 days ago

Brigitte Bardot: Bjondia seksi që revolucionarizoi kinemanë franceze

Trending