Ervin Kulluri, ish-sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes deklaron se rrjedhja e të dhënave nuk cënon sigurinë kombëtare. Sipas tij publikimi i databazës u tregoi shqiptarëve abuzimin me paratë e tyre, pasi rrogat stratosferike të elitës politike dhe mediatike, jepen për të mbrojtur korrupsionin.
“Rrjedhja e të dhënave sensitive të shqiptarëve, veçanërisht lista e pagave dëshmoi nivelin e korrupsionit në Shqipëri”.
Ervin Kulluri, një nga ish-zyrtarët e lartë të shtetit, që ka pasur detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes, thotë për Ora News se debati për këtë skandal duhet të orientohet pikërisht në pagat e larta të elitës.
“Çjerrja e maskës së këtij regjimi politik, të gjithë elitës politike drejtuese majtas dhe djathtas, mazhorancë-opozitë, asaj mediatike dhe asaj financiare që mesa duket ushqehen me miliona dhe miliarda në vit nga paratë e kontratave dhe koncesioneve, PPP dhe paratë e tenderave korruptivë. Po aq e rëndë është dhe shmë rroga fiktive që vendosin gazetarë të ndryshëm duke fshehur të ardhurat e vërteta çka tregon se media ka një problem të madh me deklarimin e financimit të saj.”
Ish-funksionari i Ministrisë së Mbrojtjes kujton se kjo nuk është hera e parë e publikimit të informatave të klasifikuara.
“Deputetë të opozitës së asaj kohe, socialistë që i rridhnin ato informacione nëpër media, që tregon mungesën e seriozitetit të shtetit shqiptar dhe shtetarëve shqiptarë në përgjithësi.”
Kulluri apelon për një kontroll me të fortë parlamentar ndaj qeverisë në rastin e skandaleve të tilla, që përbëjnë krim, bazuar në kodin penal.
Rrjedhja e të dhënave në këndvështrimin e tij si ish-zyrtar shteti, nuk cënon sigurinë kombëtare.