Në një kohë komisionesh hetimore të kërkuara me ngulm nga opozita në rradhët e drejtorëve skandalet nuk kanë fund. Bëhet fjalë për drejtorin e IT-së, Ervin Muça, i cili është zbuluar se ka eksportuar bazën e të dhënave të TIMS të Policisë së Shtetit.
Në njoftimin e bërë nga Prokuroria theksohet se më 8 gusht të vitit që lamë pas, Agjencia e Mbikqyrjes Policore i ka përcjellë të gjithë materialin hetimor, ku resulton se Muça është personi që ka shkarkuar të dhënat e TIMS. Ai është futur në orët e vona të natës në godinën e Drejtorisë së Teknologjisë dhe Informacionit, ka përdorur PIN-in personal të një punonjësi tjetër, i cili nuk ka qenë prezent në momentin kur ka ndodhur e gjitha, dhe ka shkërkuar të gjitha të dhënat.
Po sipas Prokurorisë, në datë 23.10.2007 në Itali po i njëjti person është raportuar si përgjegjës për veprat penale të dokumenteve false kryer nga persona privatë dhe përdorimin e një akti të rremë.
“Në datë 09.09.2008 shtetasit E. M. i është njoftuar vendimi për refuzimin e rinovimit të lejes së qëndrimit të marrë nga shtabi i policisë në Bari,”-shkruhet ndër të tjera në njoftim. Pasi i doli emri, ai reagoi duke hedhur poshtë akuzat, teksa theksoi se as nuk ka ndërhyrë dhe as fshirë të dhëna të sistemit. Sipas tij, gjithçka që ka bërë, ka qenë “back-upi” i sistemit.
“Një ndër procedurat kryesore me punën e përditshme të sistemeve është back-up. Jetike për qëndrueshmërinë e sistemeve dhe rikthimin në funksion, në rast sulmesh a fatkeqësish (kujtoj sulmin kibernetik iranian, ku sistemet tona u ringritën pas asistencës se pakushtëzuar nga DART i Microsoft dhe partnerët tanë strategjikë SHBA). Pikërisht për këtë, unë në vijimësi kam kërkuar informacion mbi mënyrën e kryerjes së proçedurës së back-up nga personat që e kishin detyrë funksionale. Vërejta se back-up, një proçedurë aq e domosdomoshme dhe e rëndësishme, nuk ishte kryer sic duhej. Kërkova të ribëhej.
Dhe…vini re: Si përgjigje kam marrë sabotimin. Sigurisht që jam aq i përgjegjshëm sa të mos i bëj publikë këtu në këtë reagim emrat sabotues që guxuan të cënojnë detyrën, betimin, integritetin dhe qëndrueshmërinë e sistemeve, por patjetër që po përgatis raportin tim, për eprorët dhe organe të tjera ligjzbatuese,”-pretendonte ai një vit më parë.
Pas publikimit të skandalit për vjedhjen e të dhënave të TIMS, kryeministri Edi Rama u justifikua se nuk kishte asnjë vjedhje të dhënash, por vetëm një problem teknik, që sipas tij, ishte keqpërdorur nga ata njerëz që kishin humbur aksesin në të dhënat e Policisë së Shtetit.
“Nuk ka asnjë arsye për t’u shqetësuar. Është e gjitha një histori e nxjerrë dhe e manipuluar nga njerëz që kanë humbur pushtetin mbi ato të dhëna në Policinë e Shtetit. Sepse hetimi i brendshëm është kryer i plotë dhe s’ka asnjë shqetësim. Ajo ngjarja e rëndë nuk ka ndodhur sepse s’ka pasur asnjë mundësi të ndodhë sepse në përpjekje për të bërë back up-in s’ka pasur back up fare. Kështu që është një problem teknik i brendshëm”, deklaroi Rama asokohe.
Pak ditë pas raportimit për ndërhyrje në sistemin TIMS, pati një reagim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I ngarkuari me Punë i Ambasadës Amerikane në Tiranë, H. Martin McDowell, vuri në dukje shqetësimin për skandalin, gjatë një takimi me Ministrin e Brendshëm Taulant Balla.
McDowell shprehu gatishmërinë e SHBA-së në hetimin e çështjes.“I ngarkuari me Punë McDowell vuri në dukje shqetësimet e SHBA në lidhje me ndërhyrjen e raportuar në sistemet TIMS në Policinë e Shtetit. Ai nxiti një hetim të shpejtë dhe të gjithanshëm dhe theksoi rëndësinë që ka mbrojtja e të dhënave vetjake/sensitive, përfshi edhe të qytetarëve amerikanë në Shqipëri. McDowell i tha gjithashtu Ministrit Balla se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme ta mbështesin Ministrinë dhe Policinë e Shtetit në hetimin e tyre”, thuhej në mesazhin e Ambasadës Amerikane.