Xhudistja pejane Erza Muminoviq e ka përsëritur suksesin e Evropianit të arritur në fillim të shtatorit. Të mërkurën në Itali 19-vjeçarja Muminoviq e fitoi medaljen e bronztë nëpërmjet repesazhit.
Muminoviqi këtë sukses e arriti në kategorinë deri në 52 kilogramë në Botërorin e të rinjve që po zhvillohet në Olbia të Italisë. Ajo në luftën e fundit të zhvilluar të mërkurën gjatë ditës e mposhti xhudisten spanjolle Ariane Toro Soler.
19-vjeçarja Muminoviq xhiron e parë e kaloi pa luftë, ndërsa i fitoi tri luftëra të tjera, e humbi të katërtën. Mposhti fillimisht mongolezen Sarantuya Delgersaikhan.
Me Waza-ari triumfoi ndaj amerikanes Marisol Torro pas një lufte të gjatë. Çerekfinalen Erza e fitoi ndaj xhudistes nga Azerbajxhani, Sabina Aliyeva.
Por në gjysmëfinale u mposht nga Giulia Carna e Italisë. Në Botërorin e Olbias së Italisë në xhudo, që do të përfundojë të dielën, do të garojë edhe xhudistja tjetër, Fationa Kasapi. Kasapi do të garojë të enjten në kategorinë deri në 57 kilogramë.
Me xhudistet në Itali është asistenti i trajnerit Driton Kuka, Fatos Tabaku.
Në Botëror marrin pjesë 495 xhudistë nga 72 shtete.