I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar është optimist se takimi mes Kryeministrin Albin Kurti dhe Presidentit Aleksandër Vuçiç në Ohër do të prodhojë rezultat.
Deklaratën e bëri në një konferencë të përbashkët për shtyp me Presidenten Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Prishtinë.
“Jam optimist për rezultate pozitive në Ohër. Pres takime shumë produktive në Ohër bashkë me Presidenten e Serbisë dhe kryeministrin e Kosovës. Ne kemi qëllim të mbështesim plotësisht çdo rezultat që sjell paqen më afër rajonit dhe intensifikon mundësinë për Kosovën, Serbinë dhe vendet e tjera të rajonit që të bëhen anëtarë të plota të komunitetit euro-atlantik. Mendojmë së propozimi evropian i lehtësuar përmes dialogut të BE-së ofron një mundësi të jashtëzakonshme për paqe të qëndrueshme ndërmjet dy vendeve të rajonit.”
Gabriel Escobar
Escobar theksoi se Shtetet e Bashkuara janë mbështetësja më e madhe e Kosovës në botës, dhe se qëllimi i saj është që marrëveshja mes dy vendeve të funksionojë.
“Si mbështetësi më i madh i Kosovës në botë ne kemi për qëllim që kjo të funksionojë për Kosovën dhe tërë rajonit. Të zhbllokohen disa prej atyre burimeve më të mira që Ballkani ia siguron vetës dhe krejt Evropës. Jam shumë optimist për mundësitë për një zgjidhje paqësore mes Kosovës dhe Serbisë dhe shpresoj se pas të shtunës do të kemi lajme të mira.”
Gabriel Escobar
Me të njëjtën frymë pozitiviteti foli edhe Presidentja Osmani, e cila tha se presin që marrëveshja të sjellë rezultate të prekshme për Kosovën.
“Kosova shkon drejt Ohrit me mendësinë se një “marrëveshje e drejtë, e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ku trajtohemi si dy shtete të barabarta, është e vetmja mënyrë për të siguruar paqe afatgjatë, stabilitet dhe prosperitet në rajon. Pritjet e mia, si Presidente e Kosovës, janë që marrëveshja do të sjellë rezultate konkrete të prekshme për Kosovën. Rrjedhimisht, do të sigurojë integrimin e Kosovës në institucionet euro-atlantike, do të sigurojë integrimin gjithëpërfshirës të komunitetit serb në institucionet e Republikës.”
Presidentja Vjosa Osmani
Escobar u takua më vonë me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe kryetarin e Parlamentit Glauk Konjufca, ndërsa më herët gjatë së enjtes zhvilloi bisedime me përfaqësuesit e opozitës.
Vizita e zyrtarit të lartë amerikan në Prishtinë vjen pas asaj të zhvilluar në Serbi, ku shprehu pritshmërinë për një marrëveshje përfundimtare deri në fund të vitit.