Mijëra qytetarë janë mbledhur para godinës së Kryeministrisë për të protestuar kundër rritjes së çmimit të naftës në vend.
Protesta u organizua nga shoqëria civile, dhe thirrjes së disa grupimeve iu përgjigjën një numër i konsiderueshëm qytetarësh, të cilët mbushën rrugën në Bulevardin Dëshmorët e Kombit para Kryeministrisë. “Është Shqipëria atdheu juaj, jo Instagrami”, tha aktori Florian Binaj.
“Të gjithë ata që kanë ardhur këtu edhe mund ta përballojnë këtë çmim, por kanë ardhur edhe për ata që nuk e gjejnë guximin. Por iu them që shqiptarët rrëzuan diktaturën nëse mblidhen të gjithë bashkë, dhe mund të rrëzojnë këdo. Kjo fillon sot, por nuk duhet të mbarojë me keq. Ndërkohë që ne protestojmë këtu, liderin e “Ballkazanit” e kemi në Dubai”.
Gjatë protestës u dëgjuan thirrje “poshtë diktaturës” dhe “poshtë Edi Rama”.
Çmimi i naftës arriti deri në 270 lekë për litër këtë mëngjes. Shtrenjtimi me 10 deri në 20 lekë brenda ditës është reflektuar në të gjitha stacionet e karburanteve, pas rritjes së çmimeve nga operatorët që shesin me shumicë.
Kompanitë e lidhin situatën me rritjen e çmimeve në bursa ndërkombëtare, ku një fuçi naftë bruto kapi vlerën e 129 dollarëve ditën e djeshme. Por përveç çmimit, sipas tyre ka vështirësi edhe në sigurimin e produktit.
Prej fillimit të muajit, litri i naftës në treg është rritur me mbi 65 lekë, apo thuajse çdo ditë me nga 10 lekë. Një ndikim të madh në rritje po jep edhe zhvlerësimi i lekut në raport me valutat e huaja, ku dollari këmbehet me 118 lekë, ndërsa euro me gati 129 lekë, nga nivele ndjeshëm më të ulëta një muaj më parë.