Agjencitë e Kombeve të Bashkuara kanë paralajmëruar se dhuna në pjesën veriore të Etiopisë mund t’i nxisë 200.000 njerëz që të ikin në Sudan gjatë muajve të ardhshëm. Në rajonin Tigray ka nevojë emergjente për ushqim, strehim dhe ilaçe.
Numri i refugjatëve që e kanë kaluar kufirin mes dy shteteve afrikane tashmë e ka kaluar pritjen e agjencisë për refugjatë për 11.000 persona, bëri të ditur një zyrtar i Kombeve të Bashkuara.
“Së bashku me të gjitha agjencitë, ne ndërtuam një pla reagimi për rreth 20.000 persona dhe tash për tash kemi rreth 31.000, prandaj shifra është tejkaluar”, tha Axel Bisschop gjatë një konference në Gjenevë. “Presim që shifra e radhës të shkojë në rreth 200.000”, shtoi ky zyrtar.
Luftimet në rajonin Tigray kanë bërë që mbi dy milionë fëmijë të kenë nevojë urgjente për asistencë, ndërsa mijëra të tjerë janë në rrezik në kampet sudaneze për refugjatë, sipas agjencisë UNICEF.
Më herët gjatë këtij muaji, qeveria etiopiane shpalli gjendje emergjente gjashtëmujore në këtë rajon. Në Tigray nuk ka rrymë dhe linja telefonike dhe banorët kanë qasje të kufizuar në karburante.
Për ata që kanë shkuar në Sudan, jeta nuk është shumë më e lehtë. Kampet janë të stërmbushura dhe refugjatët kanë kushte të dobëta sanitare si dhe qasje të kufizuar në ushqim dhe ujë.

