Ndërsa Cristiano Ronaldo dhe Patrik Schick kryesojnë listën individuale të golashënuesve në “Euro 2020” me nga pesë gola të realizuar, ajo që bie në sy po ashtu në këtë turne deri më tani janë autogolat. Në “Euro 2020” janë shënuar 11 autogola, një total që kalon autogolat e realizuar në të gjitha Kampionatet e tjera Evropiane së bashku.
Sinjali turk i Demiralit
Në ndeshjen e parë të Turqisë në “Euro 2020”, që e luajti në Romë kundër Italisë, u shënua autogoli i parë. Ishte ndeshja hapëse e Evropianit. Momenti fatkeq ishte kur qendërmbrojtësi turk Merih Demiral shënoi autogol për ta zhbllokuar rezultatin. Mbrojtësi i Juventusit reagoi dobët pas harkimit të Domenico Berardit duke e dërguar topin në portën e tij. Ky edhe ishte sinjali i parë për një kampanjë katastrofale të Turqisë në Evropian, pasi u eliminua në fazën e grupeve pa asnjë fitore.
Szczesny dyfishon dhimbjen
Jo për herë të parë fati i keq e ka ndjekur portierin Wojciech Szczesny në Evropian. Portieri i Polonisë u përjashtua direkt me karton të kuq në ndeshjen hapëse të “Euro 2012”, kur pa dashur ia dha epërsinë Sllovakisë pas goditjes së Robert Makut, në të cilin bëri ndërhyrje të ashpër para se ta fuste topin në rrjetë. Në “Euro 2020” Szczesny realizoi në portën e tij.
Hummelsi ua kthen favorin francezëve
Pasi e kishte eliminuar Francën në Botërorin “Brazili 2014”, Mats Hummels pa dashje vendosi një nga ndeshjet më të shquara të raundit të parë me një autogol kundër kampiones së botës. Mbrojtësi i Gjermanisë preu një harkim të Lucas Hernandezit duke e dërguar topin në portën e tij në minutën e 20-të. Me autogolin e Hummelsit, Gjermania e humbi ndeshjen nga Franca në Munich me rezultatin 1:0.
Një ndihmë me dorë nga Dubravka
Askush nuk e diti se çfarë kishte në mendje portieri i Sllovakisë, Martin Dubravka. Pak minuta pasi e priti gjuajtjen e Alvaro Moratas nga penalltia në ndeshjen vendimtare të grupit, Dubravka bëri një gabim që i kushtoi Sllovakisë me humbje të thellë. Duke e përcjellë topin pas goditjes së traversës, Dubravka gabimisht llogariti daljen e tij duke shënuar gol komik në portën e tij. “Gabimet janë pjesë e jetës dhe futbollit. Jam i sigurt që Martini do të mësojë nga ky gabim”, tha trajneri i Sllovakisë, Stefan Tarkoviq, që i doli në mbrojtje portierit të tij. Fatkeqësisht, incidenti i Dubravkas shërbeu për të zhbllokuar rezultatin në ndeshjen që Spanja e fitoi 5:0. Edhe Juraj Kucka shënoi autogol në atë takim.
Ngatërresa mes Pedrit dhe Simonit
Asnjëherë më parë në turne nuk ishte shënuar autogol jashtë zonës së penalltisë. Pedri dhe portieri i tij Unai Simon ndryshuan gjithçka, pasi u kombinuan për të prodhuar një moment tjetër të çuditshëm në “Euro 2020”. Pasimin e adoleshentit nga 45 metra nuk arriti ta kontrollonte portieri Simon, i cili mbeti i turpëruar. Për fat të mirë, Spanja arriti ta mposhtë Kroacinë 5:3 pas vazhdimeve në 1/8 e finales. Kështu, Spanja u bë e vetmja skuadër që shënoi autogol dhe nuk pësoi humbje.
Fati mizor i Kjaerit
I vlerësuar gjerësisht për trajtimin e traumës në ekip pas kolapsimit të Christian Eriksenit, autogoli i kapitenit të Danimarkës kundër Anglisë kontribuoi në përfundimin e përrallës së skuadrës së tij. Në përpjekje për të prerë një harkim nga Bukayo Saka, me Raheem Sterlingun që priste të godiste, Kjaer devijoi topin në rrjetën e tij për t’i mundësuar Anglisë që të barazojë rezultatin në 1:1 pak para përfundimit të pjesës së parë. Në fund Anglia e fitoi ndeshjen 2:1 pas vazhdimeve për të avancuar në finale të Evropianit.