Euro bie, çmimet jo

albnews
By
4 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Produktet e importuara në Shqipëri shpesh kushtojnë më shtrenjtë se në vendet e origjinës nga vijnë. Kjo vihet re edhe kur euro zhvlerësohet siç ka ndodhur vitet e fundit, ku sërish çmimet në tregun shqiptar qëndrojnë statike, ndërkohë që në logjikën ekonomike, nëse ato blihen më lirë, do duhet të reflektohet në çmimin final.

Por pse nuk ndihet zhvlerësimi valutave në rënien e çmimeve? Sipas një analize të bërë nga ALTAX, në praktikë, zhvlerësimi i euros shpesh kalon pothuajse i padukshëm në tregun shqiptar.

Edhe kur euro/dollari humbet vlerë ndaj lekut, çmimet e produkteve të importuara nuk bien automatikisht. Arsyeja është se çmimi final nuk përbëhet vetëm nga kursi i këmbimit. Importuesit dhe shitësit shtojnë marzhe fitimi, paguajnë transport, sigurim, dogana dhe taksa, dhe shpesh llogarisin edhe një “premium rreziku” për vonesat, inflacionin ose luhatjet politike.

Për më tepër, referuar analizës,  struktura e tregut nuk e lejon konsumatorin të përfitojë lehtësisht nga ndryshimet e kursit.

Me pak konkurrencë dhe një treg të vogël, çmimet që vendosen në raft reflektojnë më shumë fuqinë oligopoliste sesa luhatjet reale të euros.

Si rezultat, edhe pse euro mund të dobësohet dukshëm, efekti i saj shpesh humbet mes kostove shtesë dhe kontrollit të pak aktorëve mbi tregun. Në thelb, zhvlerësimi i euros ndikon më shumë në xhepin e importuesit sesa në çmimin që paguan konsumatori, i cili shpesh mbetet i pandryshuar.

Kur fillon abuzimi real ekonomik për mallrat e importit? Referuar analizës, abuzimi real ekonomik fillon kur vërehet një diferencë e pajustifikueshme midis çmimit të të njëjtit produkt në vendin e origjinës dhe në tregun shqiptar.

Një skenar tipik është kur një produkt shitet me çmim me pakicë 1.00 euro në Itali dhe 2.50–3.00 euro në Shqipëri.

Në këtë rast, kostoja reale e justifikueshme për tregun shqiptar është rreth 1.50 euro, ndërsa çmimi real në treg arrin rreth 2.80 euro. Diferenca prej rreth 1.30 euro nuk lidhet me transportin, taksat apo TVSH-në, por përfaqëson rente oligopolistike, marzhe abuzive dhe mungesë reale konkurrence.

Një faktor përcaktues në këtë proces është vetë struktura e tregut shqiptar. Shqipëria operon si një treg i vogël, me volume të ulëta blerjeje dhe fuqi të kufizuar negociuese.

Importuesit shqiptarë nuk blejnë në sasi masive, por në volume relativisht të vogla, çka i privon nga përfitimet e ekonomive të shkallës që karakterizojnë tregjet e mëdha si Italia apo Gjermania. Për pasojë, edhe çmimi total me të cilin blejnë është strukturalisht më i lartë për njësi.

Kjo do të thotë se edhe kur importuesi shqiptar blen me çmim shumice nga distributori ose fabrika, diferenca në çmim mes vendit të origjinës dhe Shqipërisë nuk zhduket, por vetëm reduktohet. Në kushte normale tregu, vetëm nga transporti, doganat, TVSH-ja dhe marzhet standarde, çmimi përfundimtar në Shqipëri mund të rezultojë rreth 40–60% më i lartë se çmimi në raft në vendin e origjinës. Kjo përbën rritje strukturore legjitime dhe është ekonomikisht e justifikueshme për një ekonomi të vogël importuese.

Problemi real fillon kur kësaj rritjeje strukturore i shtohet struktura oligopolistike e tregut të importit dhe rritja abuzive, që shpesh arrin 120–200%, dhe nuk shpjegohet më nga kostoja reale por nga mungesa e konkurrencës.

Sipas analizës, ulja reale e çmimeve do të ishte e mundur nëse realizoheshin 5 kushte strukturore, të tilla si, hapje reale e tregut të importit; zhvillimi real i konkurrencës në tregjet e brendshme; aplikimi i TVSH së diferencuar për ushqimet bazë; funksionim efektiv i autoritetit të konkurrencës; transparencë publike e çmimeve përmes platformave të krahasimit.

Marrë nga Scantv.al

Share This Article