Albania
Euro i afrohet pragut të 101 lekëve, arrin shumë pranë nivelit minimal historik, monedha vendase forcohet kundrejt valutave kryesore
Euro e ka mbyllur javën me një rënie të mëtejshme në kursin e këmbimit me Lekun. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të premten me 101.17 lekë, duke humbur 0.75 pikë krahasuar me një ditë më parë. Kursi i këmbimit mes Euros dhe Lekut ka prekur nivelin më të ulët që prej datës 25 korrik të këtij viti. Tashmë, kursi ndodhet shumë pranë nivelit minimal historik prej 100.49 lekësh, që u regjistrua në 20 korrik të këtij viti.
Leku vazhdoi të forcohej edhe kundrejt valutave të tjera kryesore. Dollari Amerikan ra më tej në vlerën e 92.89 lekëve, niveli më i ulët që prej datës 2 gusht. Paundi Britanik u këmbye me 117.42 lekë, vlera më e ulët që prej datës 25 korrik.
Kursi i këmbimit tashmë është kthyer në mënyrë të papritur në vlerat e verës, kur prurjet valutore të lidhura kryesisht me turizmin sjellin një efekt të zakonshëm sezonal, që këtë vit ishte gjithsesi shumë më i fortë se kurrë më parë. Por, rikthimi në vlera të përafërta edhe në këtë periudhë të vitit dëshmon për një mbiçmim të monedhës vendase të mbështetur tashmë mbi faktorë më të qëndrueshëm se ata sezonalë.
Sipas agjentëve të këmbimit valutor, tregu vazhdon të karakterizohet nga një ofertë e lartë e lartë e valutës, të ndërthurrur me një ofertë të pakët të monedhës vendase.
Prurjet e mëdha valutore këtë vit lidhen me shifrat rekord të turizmit hyrës, me nivelet e larta të investimeve të huaja, por edhe me një vit ta favorshëm për sektorin energjetik, i karakterizuar nga eksporte në rritje, sidomos në muajt e vjeshtës. Këto eksporte vlerësohet se kanë pasur një rol në rritje në ofertën për valutë gjatë muajve të fundit.
Nga ana tjetër, likuiditeti në monedhën vendase është mjaft i shtrënguar. Rritja vjetore e depozitave në lekë pothuajse është stopuar, ndërsa rritja e ofertës monetare të lekut në tërësi (përfshirë depozitat dhe paratë jashtë bankave) është më e ulëta që prej fillimit të vitit 2019. Një rol të rëndësishëm në pakësimin e ofertës së lekut ka luajtur politika fiskale shtrënguese e qeverisë dhe suficiti buxhetor pranë niveleve më të larta historike.
Ky vit po mbyllet me Lekun që ndodhet në pozita më të forta se kurrë më parë në historinë prej afërsisht dy dekadash të këmbimit me Euron. Muaji dhjetor në përgjithësi shoqërohet me një shtim të ofertës valutore, sidomos në pjesën e dytë të tij, të lidhur me kthimin e emigrantëve dhe me një rigjallërim sezonal të turizmit. Historikisht, kjo ka sjellë një farë rënieje të kursit të këmbimit të Euros në javët e fundit të vitit.
Por, nga ana tjetër, tendenca gjithnjë e më e theksuar e qeverisë për ta përqendruar shpenzimin e deficitit buxhetor në muajin dhjetor, mund të japë efektin e kundërt dhe të rimëkëmbë përkohësisht kursin e monedhës europiane. Një fenomen i tillë u vërejt në ditët e fundit të vitit 2022.
Albania
Anomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor
Buxheti i shtetit po “vuan” nga një sëmundje kronike. Taksat mblidhen, por nuk shpenzohen. Të dhënat flasin se vetëm për muajin dhjetor fondet buxhetore që duhen të shpenzohen janë afro 2 miliardë euro. Ky përqendrim i fondeve vetëm në një muaj, për ekspertin e ekonomisë Albert Gajo, tregon anomali. I ftuar në emisionin E-ZONE, z. Gajo tha se shkaku kryesor vjen nga keqplanifikimi.
“Zbatimi i buxhetit me akte normative nuk është një tregues normal, është një tregues për një realitet anormal. Në plan të parë, kjo situatë vjen nga keqplanifikimi. Ministria përgjegjëse ka dëshmuar ndër vite që nuk ka mundur të planifikojë si duhet buxhetin, çka do të thotë se po ia lëmë rastësisë dhe, në varësi të asaj që sjell koha, hartojmë aktet normative. Kjo nuk është e shëndetshme ekonomikisht” – tha Gajo.
Gjatë kësaj jave, qeveria me aktin e katërt normativ ndryshoi sërish buxhetin. Në fokus ishte ndarja e një bonusi prej 15 mijë lekësh për familjet në nevojë.
Paralelisht, përveç bonusit, pati edhe një rishpërndarje të fondeve, ku një fond i konsiderueshëm i pashpenzuar kaloi në llogarinë e posaçme të hapur pranë Bankës së Shqipërisë për skemën e pensioneve.
“Pas keqplanifikimit, një tjetër arsye pse jemi në këtë situatë është edhe aftësia e administratës publike për të zbatuar në kohë zërin e investimeve. Vonesat në lidhje me realizimin e investimeve publike lidhen edhe me mungesën e profesionalizmit të stafit në agjencitë publike. Jemi një vend që po kërkojmë të hyjmë në BE, por nuk po i përdorim si duhet fondet tona të brendshme, ndërkohë që duhet edhe të përthithim ndihma fondesh nga BE-ja” – tha Gajo.
Eksperti Gajo thotë më tej se bonuset janë një politikë e paqëndrueshme, pra individët nuk mund të bëjnë dot parashikime të shpenzimeve, pasi nuk kanë qartësi. Ndaj, një praktikë e tillë, edhe pse e domosdoshme për familjet në nevojë, nuk është e këshillueshme të zhvillohet në mënyrë rastësore.
Albania
VIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
Një protestë ka ndodhur në ambientet e teatrit “Petro Marko” në Vlorë për shkak të mungesës së ujit prej tre ditësh.Qytetarët janë futur në ambientet e teatrit dhe kanë ndërprerë gjithashtu një mbrëmje gala që zhvillohej aty.
Ata u futën me bidonë dhe pankarta në duar për të kërkuar rikthimin e ujit, ndërkohë që mbrëmja gala u ndërpre pasi protestuesit refuzuan të linin ambientet e teatrit.
Albania
“Katolikët monitoroheshin, myslimanët përgatitnin ushqimet për ta” – si festoheshin Krishtlindjet në komunizëm në Shqipëri
Dom Mark Pashkja, zëdhënës i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, foli në lidhje me Krishtlindjet dhe mënyrën se si festoheshin ato në kohën e komunizmit, kur feja ishte e ndaluar.
Ai tregoi për një fenomen interesant që ndodhte në ato kohë në zonat e Shkodrës, ku shumë familje katolike shkonin te ato myslimane dhe u kërkonin që ato të përgatisnin ëmbëlsirat dhe gatimet për festën e Krishtlindjes, pasi vetë ato monitoroheshin.
“Shumë familje katolike shkonin te miqtë myslimanë dhe u thoshin që ëmbëlsirat dhe ushqimet tipike t’i përgatisnin ata dhe më pas, në mënyrë të fshehtë, një ose dy ditë para festës, familjet myslimane ua çonin familjeve katolike. Në këtë mënyrë festonin pa rënë në sy. Nuk mund të bënin vetë ëmbëlsira, pasi kjo ishte shenjë se po festoje dhe se nuk i kishe përqafuar mësimet e partisë dhe ateizmin, ku kisha konsiderohej armike e proletariatit. Ishte një natë ku shqiptarët provonin ato copëza aromash lirie, pasi festonin diçka që e kishin identitare, si lidhjen me Zotin. Në këto net, si Krishtlindjet, ishte hera e parë kur njeriu provonte të përtejmen, pavarësisht se unë vetë nuk e kam përjetuar”, tha ai.
-
Albania1 day agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Albania5 hours agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
Albania5 hours agoAnomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor
-
UK1 day agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania6 hours ago“Katolikët monitoroheshin, myslimanët përgatitnin ushqimet për ta” – si festoheshin Krishtlindjet në komunizëm në Shqipëri
-
UK4 hours ago
Princi William dhe Kate Middleton vendosën vijë sigurie 9.6km rreth rezidencës së tyre të re, reagojnë banorët e zonës: Masa të tepruara dhe pa konsultim
-
Bota5 hours agoPresidenti i Ukrainës, Zelensky mbërrin në Mar-a-Lago, takohet me presidentin Trump
-
Kosova4 hours agoNumërohen 81% e kutive të votimit në Kosovë: Albin Kurti drejt mandatit të tretë si kryeministër
