Euro mbyll javën “në pikiatë”, për herë të parë poshtë 96 Lekëve

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Euro ka vijuar tendencën rënëse në tregun valutor shqiptar, duke shënuar një tjetër zhvlerësim në mbyllje të kësaj jave dhe duke zbritur në një minimum të ri historik. Sipas kursit zyrtar të publikuar nga Banka e Shqipërisë, euro është këmbyer me 95.89 lekë, duke rënë me 0.16 lekë krahasuar me ditën e mëparshme.

Kjo lëvizje konfirmon presionin e vazhdueshëm që monedha europiane po përjeton ndaj lekut gjatë muajve të fundit. Rënia e vazhdueshme e kursit të këmbimit po e çon euron në nivele që deri pak vite më parë konsideroheshin të pamundura për tregun shqiptar.

Ajo që e bën këtë zhvillim edhe më të veçantë është fakti se zhvlerësimi po ndodh në një periudhë jo tipike për flukset valutore. Fillimi i muajit mars zakonisht nuk shoqërohet me hyrje të mëdha të valutës në ekonomi, pasi sezoni turistik nuk ka nisur ende dhe remitancat apo flukset e kapitalit zakonisht rriten më shumë gjatë muajve të verës.

Në kushte normale, presioni mbi euron pritet të rritet ndjeshëm në muajt korrik dhe gusht, kur hyrjet valutore nga turizmi dhe shërbimet arrijnë kulmin. Kjo do të thotë se nëse trendi aktual vazhdon, tregu mund të përballet me një zhvlerësim edhe më të fortë të euros gjatë sezonit veror.

Forcimi i lekut dhe rënia e euros krijojnë një efekt të dyfishtë në ekonomi. Nga njëra anë, zhvlerësimi i euros godet eksportuesit shqiptarë, të cilët realizojnë shumicën e të ardhurave në monedhën europiane dhe përballen me të ardhura më të ulëta kur i konvertojnë në lekë. Nga ana tjetër, kjo situatë favorizon importet, pasi mallrat e blera në euro bëhen relativisht më të lira për bizneset dhe konsumatorët vendas.

Ky zhvillim ka ngritur gjithashtu shqetësime për konkurrueshmërinë e sektorëve eksportues, veçanërisht për industrinë përpunuese dhe fasonerinë, të cilat janë shumë të ndjeshme ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit.

Ndërkohë, monedhat e tjera kanë shfaqur luhatje më të moderuara. Dollari amerikan është forcuar lehtë duke arritur në 82.80 lekë, ndërsa paundi britanik është këmbyer me 110.41 lekë. Në rënie kanë rezultuar franga zvicerane, jeni japonez dhe dollari australian, ndërsa dollari kanadez dhe disa nga monedhat nordike kanë shënuar lëvizje të vogla pozitive në raport me lekun.

Marrë nga Ekofin.al

Share This Article