Katër eurodeputetë nga Partia e të Gjelbërve, i kanë dërguar një letër të hapur presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, duke i kërkuar atij që të respektojë Kushtetutën e vendit në lidhje me hapat e ardhshëm pas rrëzimit të qeverisë.
Në këtë letër, të nënshkruar nga 4 eurodeputetë, theksohen shqetësimet e kësaj partie për gjendjen politike nëpër të cilën po kalon Kosova, raporton KOHA.
Aty, veç tjerash, potencohen edhe zërat që po qarkullojnë të fundmi për të bërë ndryshime kushtetuese me 82 vota në Kuvend, janë “një arsye më shumë e shqetësimit tonë”.
Eurodeputetët Thomas Waitz, Reinhard Bütikofer, Viola von Cramon-Taubadel dhe Romeo Franz, i bëjnë thirrje presidentit Thaçi që të sigurojë “një qeveri funksionale në këtë kohë krize që reflekton rezultatet e zgjedhjeve të fundit”.
Në letër i jepet mbështetje qeverisë në detyrë Kurti për masat e ndërmarra për të parandaluar përhapjen e koronavirusit në vend.
Më poshtë, lexojeni të plotë letrën e eurodeputetëve:
I dashur Presidenti Thaçi,
Jemi thellësisht të shqetësuar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe dëshirojmë të adresojmë shqetësimet tona në këtë letër të hapur. Ne të Gjelbrit gjithmonë e kemi mbështetur rrugën e Kosovës drejt pavarësisë dhe demokratizimit dhe nuk mund të heshtim gjatë krizës aktuale. Vota e mosbesimit ndaj Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti është një hap prapa për stabilitetin politik në Ballkanin Perëndimor në një kohë kur kohezioni është i nevojshëm urgjentisht. Pretendimet e fundit në lidhje me ndryshimet e mundshme kushtetuese përmes 82 deputetëve të Parlamentit janë një arsye më shumë e shqetësimit tonë.
Ne ju bëjmë thirrje që të siguroni një qeveri funksionale në këtë kohë krize që reflekton rezultatet e zgjedhjeve të fundit. Në pandeminë aktuale mbarëbotërore, një vend pa qeveri funksionale dhe praktikisht në krizë kushtetuese do të rrezikonte shëndetin dhe mirëqenien e gjithë popullatës së tij. Qeveria kosovare deri më tani trajtoi krizën në mënyrë të efektshme dhe madje ia doli të ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të shfuqizuar tarifat. Qeveria e Albin Kurtit barti shpresat e brezit të ri të Kosovës për përparimin politik dhe shkarkimi i kësaj qeverie qartë bie në kundërshtim me vullnetin demokratik të popullatës së Kosovës.
Për periudhën e pas pandemisë, qëndrimi ynë është që zgjedhjet e reja të mbahen sipas Kushtetutës së Kosovës, meqë fundi i qeverisë së Albin Kurtit është jo si rezultat i një dorëheqjeje, por si pasojë e votimit të mosbesimit. Ne besojmë se ju, si President, duhet të respektoni parimin e balancimit të pushtetit dhe të siguroheni që të respektohen maksimat demokratike dhe sundimi i ligjit.
Marrëveshja e mbështetur nga SHBA-ja për Serbinë dhe Kosovën, të edhe e favorizoni, është thellësisht shqetësuese. Çfarëdo marrëveshje që përfshin një zhvendosje të kufijve në baza etnike mund të rezultojë në destabilizim të rrezikshëm. Modifikimet e kufirit dhe shkëmbimet e tokës bazuar në kriteret etnike në të kaluarën kanë çuar në luftëra, në vuajtje të mëdha dhe zhvendosje të njerëzve në Ballkan. Kosova është një vend multi-etnik, dhe ne kundërshtojmë me forcë çdo përpjekje që tenton të kthehet në politikën e viteve të 1990-ta.
Ne të Gjelbrit vazhdojmë të avokojmë për demokraci dhe sundim të ligjit në Kosovë, dhe për përfshirjen e saj të vazhdueshme në masat mbështetëse të BE-së gjatë pandemisë globale. Kjo betejë ka të bëjë me stabilitetin, shëndetin publik dhe paqen në Kosovë, një betejë që nuk mund të fitohet pa e respektuar demokracinë.
Sinqerisht tuajit,
Thomas Waitz, anëtar i Parlamentit Evropian dhe bashkëkryetar i Partisë së Gjelbër Evropiane
Reinhard Bütikofer, Anëtar i Parlamentit Evropian
Viola von Cramon-Taubadel, Anëtare e Parlamentit Evropian
Romeo Franz, Anëtar i Parlamentit Evropian.