Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl ka dalë kundër tërheqjes së forcave ushtarake amerikane nga Kosova.
Reagimi i tij vjen pasi senatori amerikan, David Perdue, ka thënë se SHBA duhet të rishqyrtojë praninë e saj në Kosovë, nëse qeveria nuk e heq taksën ndaj Serbisë.
Ky reagim ishte mbështetur edhe nga djali i presidentit amerikan, Donald Trump Junior.
“Pajtohem. Janë rreth 650 trupa amerikane në Kosovë. Ka ardhur koha t’i kthejmë ata në shtëpi”, ka shkruar Donald Trump Jr.
Mandl deklaroi se kjo nuk është ide e duhur dhe se nuk preferon tërheqjen as të trupave amerikane e as austriake.
“Unë e vlerësoj atë që ka bërë SHBA për Kosovën dhe tërë Ballkanin Perëndimor. Unë nuk jam dakord me tërheqjen e trupave tani. Kosova është një vend paqësor sot. Por trupat janë të rëndësishme për shumë arsye. Austria është e pranishme me një numër gjithashtu! Unë nuk do të pajtohesha me një tërheqje të trupave tanë”, ka shkruar Mandl në Twitter.