Deputeti i Parlamentit Evropian Tonino Picula ka paralajmëruar Serbinë për “masa të rrepta” nga bashkësia ndërkombëtare, në rast se nuk ekstradojnë Milan Radoiçiq në Prishtinë. Në një intervistë për median serbe “Nova”, Picula u shpreh se refuzimi i ekstradimit të Radoiçiq do të komplikonte edhe më tej marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës.
“Nëse Milan Radoiçiq nuk ekstradohet në Prishtinë, kjo do të komplikojë marrëdhëniet tashmë të vështira ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe reagimet e mundshme të bashkësisë ndërkombëtare mund të rezultojnë në veprime edhe më të rrepta politike dhe diplomatike ndaj Serbisë”, ka thënë ai.
Picula ka përpiluar tekstin e Rezolutës së miratuar së fundmi për konfliktin në Banjskë, ku kërkohen sanksione për Qeverinë e Serbisë nëse konstatohet se shteti i Serbisë ka qenë i përfshirë në sulmin në Banjskë.
Radoiçiqi mori përgjegjësinë për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, dhe dha dorëheqje nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ka refuzuar ekstradimin e Radoiçiq, duke e konsideruar atë “bashkëpunëtor të afërt”.