2/3 e Europës po përjeton këtë verë thatësirën që sipas ekspertëve shënon nivelin më kritik në 500 vitet e fundit. Sipas raportit më të fundit të “Observatorit Global për Thatësirën”, 47% e Kontinentit të Vjetër është në kushtet e “paralajmërimit”, që nënkupton se toka është tharë.
17% është në gjendje alerti, që do të thotë se bimësia ka nisur të shfaqë shenjat e stresit. Në raport paralajmërohet po ashtu se thatësira e tejzgjatur, rrezikon të thajë fusha e toka, të përhapë më lehtësisht zjarret, të cilat mund të zgjasin me muaj të tërë, kryesisht në rajonet jugore të Europës.
Krahasuar me mesataren e pesë viteve të mëparshme, parashikimet e BE-së për të korrat janë ulur 16% për misrin e grurit, 15% për sojën dhe 12% për lulediellin.
Bazuar në raportin e Observatorit Global për Thatësirën, Komisioni Europian e ka konsideruar situatën aktuale të thatësirës si më të rëndën e më kritiken në 500 vitet e fundit.
Po sipas raportit, thuajse të gjithë lumenjtë e Europës ose janë tharë ose janë drejt tharjes, për shkak të temperaturave të larta e mungesës së reshjeve.
Po ashtu, tharja e lumenjve po godet rëndë sektorin energjetik, në prag të vjeshtës e dimrit kritik për shkak të luftës ruse dhe shkurtimit të furnizimit me gaz.