Planin e tij për të zgjidhur situatën e tensionuar mes Kosovës dhe Serbisë, Kryeministri Rama e prezantoi edhe në zemër të Europës, me shpresën se udhëtimi deri në Bruksel do bënte që fjala e tij të shkojë ne vesh të Kurtit dhe Vuçiç. Pas takimit me përfaqësuesin e Lartë të Politikës së Jashtme të BE Joseph Borrel, shefi i qeverisë shqiptare shpjegoi arsyet e impenjimit të tij për zgjidhjen e kësaj situate, pavarësisht se liderët e Boegradit dhe Prishtinës kanë refuzuar sugjerimet nga Tirana.
“Ne jemi pjesë e një rajoni që ka vuajtur shumë në të shkuarën dhe nuk mund të lejojmë që të kthehemi pas. Në këtë rajon ngjarjet dhe zhvillimet janë të lidhura ngushtësisht mes vendeve dhe ne nuk mund të rrimë duke parë pragun e shtëpisë tonë p tonë, pa ushqetësuar çfarë ndodh përreth”, tha Rama.
Shefi i politikës së jashtme të Brukselit u dërgoi një mesazh Kosovës dhe Serbisë që të pranojnë marrëveshjen që kanë në tryezë në mënyrë emergjente, pasi sipas Borrell lidereve të unionit po u soset durimi.
“Palët duhet të gjejnë një mënyrë për të evituar përshkallëzimin e situatës dhe të miratojnë udhërrëfyesin që u është vënë në tavolinë. Ne duhet të marrim masa urgjente, pasi shtetet anëtare e kanë humbur durimin dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme”, tha Borrell.
Rama duket se ka humbur besimin tek efikasiteti i thirrjeve në distancë, ndaj përsërit nevojën e një “ngujimi” të Kurtit dhe Vuçiç nga ndërkombëtarët.
“Të dy liderët së bashku me përfaqësuesit e BE dhe SHBA të mbyllen në një konference dhe të mos i lënë të dalin jashtë pa gjetur zgjidhje. Në rast të kundërt do të vuajmë të gjithë pasojat. Situata po bëhet emergjente çdo ditë e më shumë”, tha Rama.
Me Kosovën që mori vëmendjen kryesore, integrimi i Shqipërisë doli në plan të dytë.
“Shqipëria ka treguar se ka vullnet për të ecur përpara në procesin e integrimit. Politika e Jashtme e Shqipërisë është 100% në përputhje me atë të BE dhe është e rëndësishme të dini se do të keni gjithmonë mbështetjen e BE”, u shpreh Borrell.
“Ne do të vijojmë punën për plotësimin e reformave dhe shpresoj që të jemi gati për hapin e radhës”, u shpreh Rama.
Më herët Rama zhvilloi takim edhe me Presidente e KE-së, Ursula von der Leyen, me të cilën diskutuan pikërisht integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Me anë të një reagimi në Twitter Von der Leyen beson se plani i zhvillimit do ta sjellë më afër rajonin me familjen europiane.