Shqiptarja Eva Milliona është emëruar ndihmës-sekretare në Departamentin e Sigurisë së Brendshme në SHBA.
Është posti më i lartë që e ka mbajtur ndonjëherë në administratën amerikane një shtetas shqiptar, i lindur në Shqipëri, raporton gazeta “Tema”.
Milliona ka studiuar drejtësi në Universitetin e Tiranës në vitet 1980-ta dhe ka shënuar një bilanc të madh arritjes në karrierën e saj.
Në Shqipëri, ajo ka praktikuar të drejtën civile dhe penale para se të bëhej gjyqtarja më e re e rrethit e emëruar ndonjëherë në Gjykatën e Rrethit të Tiranës. Shërbeu nga viti 1989 deri më 1992.
Pasi emigroi në SHBA, ajo drejtoi programin e rivendosjes së refugjatëve në Massachusetts Qendror dhe më pas në vitin 1999 u bashkua me MIRA (Massachusetts Immigrant and Refugee Advocacy Coalition), duke shërbyer fillimisht si drejtoreshë e politikave dhe avokatisë e më pas si zëvendësdrejtoreshë.
Ka marrë çmime të shumta për avokatinë e për udhëheqjen, përfshirë çmimin prestigjioz Outsanding American by Choice në vitin 2009 nga Shërbimet e Shtetësisë dhe Imigracionit të SHBA-së dhe Çmimin e Drejtësisë Sociale të Bankës Wainwright në vitin 2010.