Për shkak të përmbytjeve që kanë goditur perëndimin e Francës, është duke u zhvilluar evakuimi i popullatës.
Në departamentin e Bretanjës, në perëndim të Francës, të hënën është shpallur alarm i kuq pasi stuhia Herminia, e cila solli reshje të dendura, shkaktoi përmbytje në Rennes, të papara prej 40 vitesh.
Situata u përkeqësua sot, duke çuar në shpalljen e alarmeve të kuqe edhe për departamentet Ille-et-Vilaine, Loire-Atlantique dhe Morbihan, ku niveli i ujit ka arritur nivele rekord.
Prej dekadash nuk është regjistruar një situatë e ngjashme në këtë zonë, ndërsa, sipas autoriteteve lokale, më shumë se 170 litra shi kanë rënë për metër katror. Lumenjtë si Vilaine dhe Seiche kanë arritur nivele rekord.
Sipas François-Noël Buffet, ministrit të Brendshëm, situata është shqetësuese.
Kryetarja e bashkisë së c, Nathalie Appéré, tha se qindra shtëpi janë dëmtuar dhe rreth 15.000 njerëz janë prekur.
Me rreth 600 evakuime të regjistruara nga autoritetet lokale, ekipet kanë punuar pa pushim për të shpëtuar individët e bllokuar në zonat e prekura nga përmbytjet. Edhe ishulli i largët Belle-Île-en-Mer ka përjetuar përmbytje të mëdha.
Ka pasur gjithashtu ndërprerje të trafikut hekurudhor. Rrugët periferike janë përmbytur, ndërsa ndërprerjet e energjisë elektrike kanë lënë pa drita rreth 2.300 familje.
Autoritetet lokale kanë njoftuar mbyllje të gjerë të rrugëve, pasi disa autostrada janë bërë të pakalueshme.