Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi sot seancën e parë parlamentare për vitin 2024.
Deputetja e Partisë Socialiste, Evis Kushi ka reaguar përmes rrjeteve sociale për kaosin e krijuar në parlament nga opozita.
Sipas saj sot qytetarët i kishin sytë tek parlamenti, por përsëri ajo sallë hijerëndë përcolli shumë zhgënjim, indinjatë, turp, zemërim e madje edhe urrejtje.
“Sot të gjithë sytë e opinionit publik ishin përsëri tek parlamenti, me shpresën që në vend të kaosit e flakadanëve do të mbizotëronte fjala e mendimi, me besimin se politikanët do të ngriheshin në lartësinë e detyrës dhe do të merrnin përsipër përgjegjësitë që i kanë dhënë qytetarët me votë.
Por fatkeqësisht përsëri ajo sallë hijerëndë përcolli shumë zhgënjim, indinjatë, turp, zemërim e madje edhe urrejtje. Edhe pse tashmë e kanë kuptuar që bojkoti dhe dhuna nuk i shpie asgjëkundi, deputetët e opozitës as sot nuk arritën të vendosin interesin kombëtar mbi interesat e ngushta personale të një apo disa prej tyre.
Po humbasim shumë kohë, po humbasim durimin e njerëzve, veçanërisht entuziazmin dhe optimizmin e të rinjve. Faik Konica në vitin 1904 shkruante: “Urrejtja partiake shpesh merr përparësi ndaj instinktit kombëtar.”
Deputetja e PS, Kushi kërkoi nga kolegët e opozitës që të largojmë urrejtjen e t’i kthehemi sa më parë normalitetit.
“Prandaj të dashur kolegë opozitarë, të largojmë urrejtjen e t’i kthehemi sa më parë normalitetit, paqes e dialogut! Edhe kur qëndrimet tona janë kontradiktore, dialogu është e vetmja rrugë për të ecur përpara e për të zgjidhur problemet. Nëse e duam Shqipërinë si gjithë Evropa, atëherë jemi ne të parët që duhet të sillemi si evropianë.
Është emergjente t’i japim brezit të ri arsye se ia vlen ta ndërtojnë jetën dhe të ardhmen e tyre në këtë vend plot potencial e bekime!” – shkruan Kushi.
#ShqipëriaeArdhmjaJonë🇦🇱