Nëse presidenti amerikan ndjen se po keqpërdoret dhe nuk sheh ndonjë përparim të dukshëm në negociata – ai thjesht do të largohet nga tryeza e bisedimeve, pa ndonjë hezitim apo paralajmërim.
Kjo qasje, sipas bashkëpunëtorëve të afërt të tij, buron nga filozofia e tij politike dhe mënyra e drejtpërdrejt me të cilën e trajton diplomacinë ndërkombëtare.
Sipas tyre, presidenti amerikan, Donald Trump nuk ka durim për proceset e zgjatura dhe shpesh të paefektshme të diplomacisë tradicionale, veçanërisht kur sheh që pala tjetër nuk po tregon angazhim të mjaftueshëm ose kur ai ndjen se interesat amerikane po injorohen.
“Ai thotë: mjaft, kemi mbaruar. Evropë, tani është problemi yt. Merre në dorë vetë”, deklaroi Keith Kellogg, përfaqësuesi i posaçëm i liderit amerikan për çështjen e Ukrainës, gjatë një interviste të fundit.
Sipas Kellogg, kjo është një mënyrë për t’i dërguar një sinjal të qartë udhëheqësve evropianë se SHBA nuk do të vazhdojë të mbajë mbi supe barrën kryesore të mbështetjes për Ukrainën, nëse nuk ka një ndarje më të barabartë të përgjegjësive dhe kostove mes aleatëve perëndimorë.
Në të njëjtën intervistë, Kellogg nënvizoi se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndalojnë zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s drejt kufijve të Rusisë, duke sinjalizuar një ndryshim të mundshëm në politikën tradicionale të aleancës.
Ai shtoi se anëtarësimi i Ukrainës në NATO “as që është në tryezë”, duke lënë të kuptohet se për momentin, Uashingtoni nuk ka asnjë interes të afërt për të përfshirë Ukrainën në strukturat mbrojtëse të aleancës.
Ky qëndrim pasqyron një përpjekje për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve me Moskën dhe për të rihapur rrugën e dialogut strategjik me Kremlinin. /Telegrafi/