Max Verstapen është shpallur kampion bote për herë të parë në karrierë.
Verstappen triumfoi sot në garën vendimtare në Abu Dhabi dhe kështu arriti të fitojë për herë të parë titullin në Formula 1 në garën e fundit.
Verstappen e nisi garën nga vendi i parë me Red Bull-in e tij, por piloti i Mercedesit, Lewis Hamilton, e parakaloi menjëherë dhe zuri vendin e parë.
Megjithatë, incidenti i parë pasoi menjëherë kur pati kontakt mes Verstappen dhe Hamilton, por gjyqtarët vendosën që të mos kishte penallti, kështu që Hamilton mbeti në epërsi.
Hamilton po e ngiste makinën e tij në mënyrë rutinore dhe një nga emocionet më të mëdha ndodhi kur shoferët shkuan për të ndërruar gomat.
Verstappen ndërroi gomat fillimisht në xhiron e 13-të dhe më pas Hamilton në xhiron e 14-të. Red Bull vendosi të lërë në pistë një tjetër pilot Sergio Perez, i cili arriti të ngadalësojë Hamiltonin dhe t’i “marrë” tre sekonda.
Verstappen përdori një mjet sigurie virtuale 21 xhiro para fundit dhe arriti të parakalojë Hamilton.
Kur as kjo nuk e ndihmoi holandezin, ai mori një “dhuratë” të re, pasi automjeti i sigurisë hyri në pistë pesë xhiro para fundit pasi Nikolas Latifi me Williams-in e tij goditi murin.
Automjeti i sigurisë ishte në pistë, ndërsa Verstappen priti që gara të vazhdonte për të pasur një shans për të parakaluar Hamilton.
Këtë e bëri në xhiron e fundit dhe me triumfin e dhjetë të sezonit arriti tek titulli me tetë pikë epërsi ndaj Hamiltonit të vendit të dytë dhe theu dominimin britanik prej katër titujsh radhazi.