Një pushues britanik ka përshkruar skenarin e makthit me të cilin u përball teksa ikte nga Rodosi i shkatërruar nga zjarri me gruan dhe dy fëmijët e tij të vegjël.
Matt Lewis tha për Sky News se si ai u përball me “një kombinim midis ferrit dhe Titanikut” ndërsa familja e tij nxitonte për të shpëtuar.
Ai dhe gruaja e tij formuan një mburojë njerëzore rreth fëmijëve të tyre, katër dhe tetë vjeç, për t’i mbrojtur nga flakët e furishme.
Familja është në mesin e mijëra pushuesve në Rodos që u kaluan sprovave rraskapitëse teksa luftonin për t’u larguar nga ishulli grek.
Z. Lewis tha se situata ishte “e tmerrshme”. “Me gruan dhe dy fëmijët e mi të vegjël dhe pa asnjë ndihmë tjetër, padyshim që ishte e tmerrshme.” tha ai.
Familja ishte gati të largohej nga Rodosi të shtunën mbrëma. “Rreth orës tre pasdite, gjërat me të vërtetë filluan të ndryshojnë, me zjarrin që rritej dhe zgjerohej, krahasuar me ditët e mëparshme.” tha z. Lewis,
Hoteli në të cilin po qëndronte familja ishte caktuar si qendër shpëtimi për rreth 1000 pushues të tjerë të bllokuar.
“Në atë moment, ne filluam të dëgjojmë histori mjaft të tmerrshme, të grave që ecnin 8 km apo më shumë në vapën e zjarrtë me foshnja të lidhura në gjoks”, tha ai për Sky News.
‘E kuptuam se kishim ngecur’
Familja fillimisht shpresonte të udhëtonte në aeroport me autobus, por rrugët që të çonin etje ishin të mbyllura.
“Në atë moment, mendoj se e kuptuam se kishim ngecur dhe u përpoqëm të merrnim me qira një makinë për t’u larguar dhe të përpiqeshim të shkonim në jug, por kjo nuk ishte e mundur. Kështu që ne vendosëm të qëndronim aty.”
Pas rreth pesë apo gjashtë orësh, familja arriti të marrë një dhomë për natën, por pak çaste më vonë, ra alarmi i zjarrit dhe ata u larguan në plazh.
Duke kujtuar skenat Lewis tha: “Unë mund ta përshkruaj atë vetëm si një kombinim i një ferri të zjarrtë dhe Titanikut. Ishte çdo njeri për veten e tij, njerëzit ishin shumë të fokusuar në bagazhet e tyre dhe jo te gratë dhe fëmijët.”
Ai dhe gruaja e tij arritën t’i hipnin fëmijët e tyre në një varkë të vogël. Ata u ndanë përkohësisht përpara se të ribashkoheshin në një shkollë lokale, duke marrë një traget për në Marmaris në Turqi përpara se të fluturonin përsëri në MB.
Një tjetër turiste, Amy Leyden, tregoi se si familjes së saj iu desh të kalonte përmes “tymit të dendur” pasi hoteli i tyre u dogj tërësisht përpara se të luftonin për të siguruar një vend në një varkë shpëtimi – me fëmijët që binin në ujë, gjatë kaosit.
“Ishte thjesht e frikshme sepse nuk mendoja se do t’ia dilnim”, tha ajo.