Valdet Deva, që paraqitet si familjar i Xhafer Devës, ka paralajmëruar padi ndaj ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, pasi doli kundër planit për restaurim të Shtëpisë së Xhafer Devës.
Ditë më parë, Rohde u shpreh se restaurimi i kësaj shtëpie, që nga Ministria e Kulturës shihet si ndër objektet më të veçanta të trashëgimisë kulturore në Mitrovicë, është mënyrë e gabuar e të kujtuarit.
“Shumë i shqetësuar për planet e restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës, një bashkëpunëtor /protagonist i njohur nazist i SS famëkeq Skënderbeg Div. Asnjë zbardhje e historisë! Mos e shtrembëroni të vërtetën në lidhje me Holokaustin ose krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendas. Mbro Faktet”, pati shkruar Rohde në llogarinë e tij në Twitter.
Ndërkaq, në letrën publike drejtuar Rohdes, Valdet Deva ka thënë se e konsideron fyese, shpifëse e tronditëse deklaratën e ambasadorit.
“Duke marrë parasysh se kjo deklaratë është ndikuar nga pala e tretë, e që mund të jetë ndonjë vend fqinjëi Kosovës, konsideroj se mënyra dhe pesha e deklaratës tuaj shpifëse dhe nënçmuese ndaj Xhafer Devës, nuk do të duhej të behej kurrë! E them këtë për shkak se jam i vetëdijshëm se ju duhet të jeni i lartëarsimuar dhe i edukuar deri në atë shkallë që së paku ta njihni historinë tuaj gjermane, këtu shkruaj për periudhën 1941- 1945, dhe sidomos rrethanat rreth Holokaustit, për të cilin mëkatarët kryesore janë vet pushteti i atëhershëm gjerman. Thjeshtë z. Rohde, është dashur të lexoni, të hulumtoni e mëpastaj të deklaroheni! Xhafer Deva kurrë nuk ka qenë pjesë e Holokaustit, përkundrazi ai punoi dhe sakrifikoi shumë për shpëtimin e hebrenjëve nga vdekja e sigurt, dhe për këtë kemi dëshmi edhe nga vet ata që e mbijetuan këtë periudhë të errët për shtetin gjerman. Xhafer Deva ka qenë një ndër intelektualët dhe nacionalistët më të shquar shqiptarë të asaj kohe. Të gjitha veprat e tij, duke përfshi aty edhe bashkëpunimin e tij me gjermanet në atë kohë, synonin që shqiptarë të lirohej nga kthetrat e Serbisë famëkeqe, të sigurohej shkollimi në gjuhën shqipe dhe të krijohen institucionet shtetërore në Shqipërinë Etnike”, ka shkruar ai në letrën publike.
Deva ka thënë se familja kërkon që Rohde të kërkojë falje publike, pa vonesë e pa hezitime. Nëse kjo s’ndodh ai ka thënë se kërkojnë takim me ambasadorin që ai t’ua prezantojë provat për pjesëmarrjen e Devës në Holokaust.
Familja e Devës ka thënë se do të takohet me avokatin për të shqyrtuar mundësinë juridike për padi eventuale.