Mëngjesi i kësaj të premte i zbardhi nën ndjenjat më të forta, kaherë, familjarët e Marigona Osmanit, 18-vjeçares që u vra mizorisht në gusht të vitit 2021.
Teksa i hapën dyert dhe zemrat për televizionin, ditën kur vrasësi i bijës së tyre pati përballjen finale me drejtësinë, kërkuan që kjo e fundit të jetë e ashpër me Krivaçën.
“Emocione të mëdha, prej orës 07:00 në mëngjes jemi tu u përgatit për këtë seancë të fundit të cilën shpresojmë shumë që do të ketë sukses”, deklaroi Remzi Osmani, xhaxhai i të ndjerës teksa kërkoi burgim përjetë për atë që ia mori jetën Marigonës, pas shumë torturave.
“Të vritet një vajzë e re 18-vjeçare thuajse një masakër, edhe çka pritet…. Ta marrin dënimin e meritum të jemi edhe ne më të qetë, sepse kuptohet dhimbja nuk nalet, mërzia nuk nalet ama sot është ajo far përfundimtare”.
Xhaxhai i Marigonës, Remziu, i vetmi që e pa trupin e të ndjerës pas vdekjes, e prindërit e 18-vjeçares, Muhabiu e Valdetja qëndruan të fortë gjatë gjithë gjykimit njëvjeçar, siç u shprehën për Klanin, edhe për shkak të përkrahjes e kurajës që morën prej gjithsecilit.
“Na në emër të familjes Osmani i falënderojmë tepër shumë që na kanë përkrahë e kanë qëndru afër nesh sidomos mediat, populli, shoqëria civile.. 2 veta me dal në protestë me të përkrahë d.m.th shumë për ne”.
Në ditën e 712 pa vajzën e madhe, të rriturit e familjes u nisën me gjithë forcën e mbetur drejt gjykatës, pa zhurmë. Qetësia e tyre u thye të premten me ekzaltim, vetëm kur mësuan se vrasësi i Marigonës, Dardan Krivaça u dënua të qëndrojë prapa grilave deri në vdekje.