Po mendoni se ku do të udhëtoni vitin e ardhshëm?
Gazetarët e faqes së njohur turistike ”Chase Travel” bënë një vlerësim të tendencave dhe zbuluan debutimet më emocionuese për t’ju ndihmuar të vendosni se ku të shkoni më pas.
Riviera Shqiptare është bregdeti më i kërkuar i Evropës, pasi ajo është më e përballueshme, më pak e mbipopulluar dhe më e lehtë për t’u arritur se kurrë më parë, shkruan Betsy Blumenthal për këtë faqe.
Ky është një lajm i mirë për pushuesit që kërkojnë diell dhe që ankohen për mungesën e plazheve të qeta dhe ende të përballueshme në Evropë.
Ekziston një destinacion vetëm 70 kilometra në lindje të Salentos, Itali, që më në fund po del në qendër të vëmendjes.
Shikoni përtej ngushticës së Otrantos dhe do ta shihni Shqipërinë.
Kjo bukuri ballkanike tani po tërheq vëmendjen ndërkombëtare që meriton, falë vendeve arkeologjike të ruajtura mirë, liqeneve dhe lagunave kristalore, një vendi me verëra të forta, ushqim të shijshëm dhe, sigurisht një shtrirjeje bregdetare vezulluese.
Përgjatë së ashtuquajturës Riviera Shqiptare, qytete turistike të thjeshta si Ksamili ekuilibrojnë të kaluarën me rrënojat greko-romake të Butrintit apo Kalanë e Ali Pashës dhe të tashmen, me copëza plazhesh të rrethuar me palma, bare dhe restorante.
Dhe jashtë qyteteve të njohura si Saranda, tani ka resorte si ”Pegasus”, ku mund të bëni banja dielli ndërsa pini kokteje.
Vitet e fundit, hotele të reja tërheqëse si ”Prado Luxury Hotel” dhe ”La Brisa Boutique Hotel” janë hapur në qytete si Himara dhe Dhërmiu.
Ekziston gjithashtu ”Green Coast Hotel Gallery Collection” i sapohapur në Palasë, plus prona në ndërtim e sipër si ”Panorama Hilltop Retreat” dhe ”Red Sol Resort”.
Një valë investimesh në infrastrukturë i lidh të gjitha së bashku. Zifti i sapotharë përgjatë rrugës Palasë-Dhërmi të çon në tunelin e ri të Llogarasë, që shkurton trafikun për kalime të shpejta në Vlorë, qendra kryesore e Rivierës, ku një aeroport ndërkombëtar krejt i ri është planifikuar të hapet përpara sezonit të verës 2026 dhe premton ta bëjë këtë cep surprizues të botës më të arritshëm se kurrë.




