Fati i Ballukut vendoset sot/ Kushtetuesja përballë përplasjes Rama–SPAK

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Gjykata Kushtetuese do të mblidhet këtë të martë për të marrë një vendim lidhur me ankimin e kryeministrit Edi Rama ndaj pezullimit nga detyra të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Trupa gjyqësore do të paraqesë qëndrimet dhe argumentet përkatëse, ndërsa në përfundim pritet të zhvillohet votimi. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese pritet të shpallet brenda ditës së sotme.

Tetë gjyqtarët e Kushtetueses do të sqarojnë gjithashtu nëse në këtë rast ka pasur ndërhyrje të pushtetit gjyqësor në atë ekzekutiv, si edhe nëse një ministër gëzon imunitetin ligjor të një deputeti.

Ky është rasti i parë në Shqipëri kur një ministër pezullohet nga detyra pas një kërkese të SPAK-ut, duke e vendosur çështjen në qendër të vëmendjes së opinionit publik dhe juridik.

Më 22 janar, Gjykata Kushtetuese shqyrtoi ankimin e kryeministrit Edi Rama lidhur me vendimin për pezullimin e Ballukut. Qeveria i ka kërkuar Gjykatës interpretimin e nenit 103 të Kushtetutës, sipas të cilit anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit, si dhe të përcaktojë nëse Gjykata e Posaçme ka kompetencë të pezullojë një ministër pa autorizimin e Kryeministrit.

Nga ana tjetër, dy prokurorët e SPAK, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko, kanë kundërshtuar pretendimet e qeverisë, duke theksuar se nuk ekziston konflikt kompetencash mes pushteteve dhe se pezullimi i një ministri nuk është kompetencë e Kryeministrit.

Vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese vjen në një moment të ndjeshëm, teksa SPAK ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për autorizim për arrestimin e Belinda Ballukut, duke e kthyer çështjen në një nga debatet më të forta juridike dhe politike të ditëve të fundit.

Share This Article