Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Fatmir Sejdiu ka njoftuar se do të garojë përsëri për postin e kësaj partie, ndërsa ka pohuar se LDK duhet të shkojë e vetme në zgjedhje.
Sejdiu në një intervistë për RTV Dukagjini ka thënë se ende nuk ka paraqitur kandidaturë formale, por këtë do ta bëjë më 3 gusht, kur mbahet Kuvendi Zgjedhor.
Sejdiu ka thënë se ishte i interesuar të garonte për kreun e LDK-së edhe më 2015, por se e kishin penguar dhe po ashtu deklaroi se pengesa ka edhe tani. Ai ka shprehur frikën e tij se kryetari aktual i LDK-së, Isa Mustafa, mund t’i eliminojë konkurrentët e tij në zgjedhjet e brendshme të 3 gushtit.
Sejdiu, ish-president i Kosovës, ka thënë se kuota prej 50+1 për qind e totalit të vota për t’u nominuar për kandidat për kryetar të LDK-së, në parim është antikushtetuese.
“Mendoj që është një normë diskutabël që në esencë është antikushtetuese. Kjo normë përjashton konkurrencën e lirë për të zgjedhë dhe për t’u zgjedhur, e sidomos për këtë të dytën”, është shprehur ai dhe shtoi se një situatë e tillë duhet të evitohet në këto zgjedhje të LDK-së.
“Nuk e di sa do të jetë numri final i konkurrentëve për kreun e LDK-së, por e di se një pjesëtim eventual që vjen në bazë të kësaj norme, kufizon të drejtën e të tjerëve në një garë të barabartë”, ka vlerësuar ai.
Fatmir Sejdiu ka thënë se LDK duhet të shkojë e vetme në zgjedhje dhe ka pohuar se nga përvoja që LDK ka pasur me PDK-në nuk do ishte i mirë një koalicion i tillë.
Ai ka thënë se LDK duhet t’i fitojë zgjedhjet vet, por asnjëherë nuk përjashtohet nevoja për të pasur koalicione me parti të caktuara me të cilat afrohet në programe.
“Mund të jetë edhe AAK, por edhe subjektet tjera. Nuk mund të them cilat do të jenë përparësitë, por kjo varet nga ajo çfarë del nga bisedimet”, tha ai.
Sejdiu ka thënë se në bazë të mësimeve të nxjerra nga zgjedhjet e fundit parlamentare, vështirë se mund të bëhen koalicionet parazgjedhore.