Prokuroria e Tiranës ka dërguar për gjykim ish-drejtoreshën e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Elira Gogo, e akuzuar për “Falsifikim të dokumenteve” dhe “Shpërdorim detyre”. Bashkë me të, përpara togave të zeza do të dalë edhe shtetasi Sh.B., i cili do të gjykohet për “Ndërtim të paligjshëm” dhe “Mashtrim”.
Sipas Prokurorisë, hetimet e nisura nga disa denoncime zbuluan se në rrugën e “Bogdanëve” ishin kryer ndërtime në kundërshtim me lejen e dhënë, duke ndryshuar destinacionin e objektit dhe duke e zgjeruar përtej sipërfaqes së lejuar.
Nga akt-ekspertimi teknik rezultoi se ndërtimi i kryer jashtë lejes arrinte në 2240 m², ndërkohë që në dokumentet e dorëzuara në ASHK ishte raportuar një sipërfaqe shumë më e vogël. Për këtë ndërtim shtesë, taksa e ndikimit në infrastrukturë duhej të ishte 24.998.400 lekë, dukshëm më e lartë se ajo e paguar mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara.
Prokuroria thekson se ish-drejtoresha Elira Gogo, në cilësinë e drejtueses së ASHK-së Tiranë Veri, ka përpiluar dhe nënshkruar dokumente zyrtare pa kryer matjet përkatëse në terren. Ajo ka raportuar një sipërfaqe të ndërtuar prej vetëm 80.5 m², për të cilën është bërë një pagesë e reduktuar të taksës së infrastrukturës.
Për këtë arsye, ndaj saj janë provuar elementët e veprës penale të “falsifikimit të vulave, stampave ose formulareve” si dhe “shpërdorimit të detyrës”.
Nga ana tjetër, shtetasi Sh.B. akuzohet për “Ndërtim të paligjshëm” dhe “Mashtrim”, pasi ka kryer ndërtime në kundërshtim me lejen fillestare, me qëllim përfitimin financiar.