Katër punonjës të bashkisë Korçë janë pezulluar nga detyra dhe ndaj tyre u caktua masa e sigurisë “detyrim paraqitje”. Mësohet se Zhaneta Lubonja, Ermal Gjermani, Olvas Petro dhe Soniel Prifti janë marrë në hetim nga prokuroria e Korçës. Tre prej tyre dyshohet se kanë kryer veprën penale të ‘shpërdorimit të detyrës’, ndërsa një tjetër dyshohet për ‘moskallëzim krimi’.
Ata dyshohet se ata kanë favorizuar në mënyrë të paligjshme dhe me qëllime përfitimi subjekte dhe individë të veçantë, duke llogaritur në mënyrë të paligjshme taksën e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja dhe komplekset e luksit në disa lagje të qytetit në masë më të ulët.
‘Personat nën hetim, dyshohet se kanë favorizuar në mënyrë të paligjshme dhe me qëllime përfitimi individual subjekte dhe individë të veçantë, duke llogaritur në mënyrë të paligjshme taksën e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja dhe komplekset e luksit në lagjet 1, 2, 3 11, 12 të qytetit të Korçës në masë më të ulët se sa duhej të paguhej në bazë të ligjit 107/2014, VKM 408, datë 13.05.2018 apo dhe Vendimeve të Këshillit Bashkiak për periudhën 2020-2023, duke shpërdoruar detyrën dhe duke dëmtuar rëndë interesat e ligjshëm të shtetit.’, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.