Federata Evropiane e Xhudos ka bërë parashikimet e saj lidhur me garën e xhudos në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Natyrisht, EJU-ja është fokusuar te xhudistët evropianë dhe nuk ka pasur se si t’i anashkalojë garuesit e Kosovës.
Gara e xhudos në Lojërat Olimpike nis të shtunën e ardhshme, më 24 korrik. Në ditën e parë garojnë xhudistët e kategorisë deri në 60 kilogramë dhe xhudistet e kategorisë deri në 48 kilogramë. Pra, në program janë kategoritë më të lehta. Bartëse e parë në kategorinë deri 48 kilogramë është Distria Krasniqi. Ajo ka rrëzuar nga pozita e parë ukrainasen Daria Bilodid. Ky fakt ka marrë vëmendjen e ekspertëve të EJU-së.
EJU-ja ka nisur analizën me yllin Bilodid. Ka vlerësuar se sikur Olimpiada të mbahej me kohë, para një viti, pakkush do të dyshonte se Bilodidi do të kualifikohej në finale. Por, shtyrja ka ndryshuar gjërat.
“Që nga viti 2020, ndjekësja Distria Krasniqi (KOS) është bërë lidere dominante. Duke fituar të artën e tretë në Masters në fillim të vitit dhe titullin evropian në prill, Distria duket e palëkundur”, ka komentuar EJU-ja në faqen zyrtare.
Sipas Federatës Evropiane, mbetet të shihet nëse do të vijë te një përballje direkt mes tyre në “Tokio 2020”. Kjo mund të ndodhë vetëm në finale.
Në kategorinë deri në 52 kilogramë paraqitet kampionia në fuqi olimpike, Majlinda Kelmendi. Majlinda është bartësja e katërt, pas Amandine Buchard (Francë), Uta Abe (Japoni) dhe Odette Giuffrida (Itali).
Në EJU janë të vetëdijshëm se kur bëhet fjalë për Majlindën dhe garën më të madhe, ranglista jo gjithnjë ka rëndësi. Majlinda garon në ditën e dytë të garave, të dielën, më 25 korrik.
“Te xhudistet në ditën e dytë me siguri do të ketë betejë. Kampionia olimpike, Majlinda Kelmendi, dhe fituesja e medaljes së argjendtë olimpike, Odette Giuffrida, do të japin çdo gjë për të arritur sërish në finale. Për këtë mund të kërkohet një paraqitje shumë e veçantë nga Kelmendi, pasi ajo nuk ishte në formën më të mirë në rrugëtimin për në Lojëra. Por, ashtu si e dinë të gjithë, është ngjarje e veçantë që ofron veprat më të pabesueshme”, ka komentuar EJU.
Në ditën e tretë të garave të xhudos, më 26 korrik, garojnë motër e vëlla, Nora e Akil Gjakova. Nora është bartësja e tretë në kategorinë deri në 57 kilogramë, ndërsa Akili nuk është bartës në kategorinë deri në 73 kilogramë.
Nora është shpresa e EJU-së për medalje evropiane në kategorinë deri në 57 kg.
“Pos fitores në Grand Slamin e Tbilisit këtë vit, Nora ka një rrugëtim të dominuar nga medaljet e bronzta. Në garat e fundit ajo fitoi vendet e treta në Evropian dhe Botëror. Por, nëse mund t’i kalojë dy të parat në renditje dhe ta prekë finalen, Nora do ta ndryshojë fatin e saj”, shkruan EJU.
Akil Gjakova shihet si një prej pretendentëve për medalje në kategorinë me shumë konkurrencë, atë deri në 73 kg, ndonëse jo në cilësinë e bartësit.
Më 29 korrik garon Loriana Kuka. Ajo është bartësja e shtatë në kategorinë deri në 78 kilogramë dhe po ashtu kërkon medalje.