Federata e Futbollit të Kosovës dhe përzgjedhësi Bernard Challandes kanë ndëprerë bashkëpunimin.
Challandes është shprehur i mërzitur për këtë vendim.
Ai ka thënë se ka pasur shumë kohë të mirë te Kosova.
“Kishim synim në fillim të ndërtojmë një ekip të vërtetë dhe të mirë. Isha i lumtur me këtë punë dhe gjithashtu krenar me punën që e kemi bërë. Kam pasur kënaqësinë të punoj me ketë ekip dhe për këtë arsye jam i mërzitur që po largohem. Si trajner kam kaluar një kohë shumë të mirë dhe i falënderoj të gjithë për bashkëpunimin duke filluar nga federata, lojtarët dhe stafi përcjellës”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se me këtë ekip ka pasur momente madhështore në fushë dhe stërvitje.
Challandes ka shtuar se Kosova ka lojtarë shumë të mirë, duke shtuar se të gjithë duhet të kenë durim me këtë ekip.
“E kuptoj se na duhet rezultatet por nuk e pranoj se duhen patjetër rezultatet, sidomos në këtë grup tejet të fortë që e kemi pasur. E di që trajneri duhet të ketë rezultate dhe presioni i gjithë shtetit nuk ka qene i lehtë për federatën”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se objektiv primar e ka pasur zhvillimin dhe përparimin e ekipit dhe është i kënaqur me ato që kanë bërë.
“Ndoshta për ju ishin të rëndësishme rezultatet por për mua ishte primare të krijojmë ekip dhe mendoj se kemi luajtur futboll të mirë”, ka thënë ai. “Thash se nuk jam i kënaqur me vendimin e presidentit por jam i kënaqur me punën që federata e ka bërë për mua. Jam shume falënderues për të gjithë, pasi më kanë përkrahur shumë. Iu them faleminderit jo për sot por për gjithë kohen”.
Ai ka thënë se është i mërzitur vetëm për shkak të rezultateve, duke shtuar se nuk është i inatosur.
“Shpresoj të kthehem t’i shoh ndeshjet e Kosovës në te ardhmen pasi besoj se tashmë e kemi ndërtuar hapin e parë dhe për të arritur të dytin nuk është aspak lehte. Nuk është vendim i mire që presidenti po e bën pa mua, por shpresoj që Kosova të arrij shumë pasi e ndjej veten paksa kosovar”, ka thënë ai.
Challandes ka thënë se ka qenë në Kosovë për katër vjet dhe nuk ishte vetëm përvojë e thjeshtë.
Ai ka thënë se Kosova është shteti i tij i dytë.
“Vendosa të vij këtu vetëm për futbollin sepse kam parë cilësitë e lojtarëve dhe e dija që mund të luaja vizionin tim të futbollit. Këtë e bëmë herën e parë por pastaj patëm probleme megjithatë kam ndjenjën se ekipi është në rugë të mirë përkundër humbjes nga Gjeorgjia. Nuk ishte e lehtë lufta me mediat dhe tifozët që kërkonin vazhdimisht fitore, por ishte shumë interesante”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se me këtë po e përfundon tërë karrierën e tij.
Challandes ka thënë se ka shumë momente të mira si trajner i Kosovës.
“Koha me lojtarët, bashkëpunimi me federatën. Ndeshja me Azerbajxhanin mbetet momenti më i mirë sepse atëherë isha trajner i mirë kur shënuam shumë gola por tani nuk jam trajner i mirë sepse nuk po shënojmë. Ndeshja me Anglinë ku shënuam gola ishte moment i mirë, pastaj fitorja me Çekinë e Bullgarinë. Duhet të jeni krenar me këtë ekip sepse unë jam krenar me punën që e kemi bërë së bashku. Ky ekip ka të ardhme”, ka thënë ai.
“Prej ditës time të parë kemi ëndërruar për të ardhur në situatë me ndeshjen me Suedinë. U kam thënë lojtarëve se mund të shkojmë në Evropian nëpërmjet Ligës së Kombeve dhe ishim afër. Por ishte shumë e vështirë sepse Kosova nuk mund të luaj pa tre lojtarët kryesor një ndeshje të tillë, pa Muriqin, Rashicen e Rrahmanin. Pas kësaj ndeshje u zhgënjyem dhe nisi koha e vështirë”.
Kryetari i Federatës së Futbollit, Agim Ademi e ka falënderuar përzgjedhësin Challandes.
Sipas tij, ai ka bërë një punë të mirë në Ligen e Kombeve por me kalimin e kohës nuk i kanë obligimet dhe me marrëveshje të përbashkët kanë vendosur që ai nuk do te jetë pjesë e ekipit tonë.
Ademi ka thënë se vendimi ishte i përbashkët dhe nuk kanë ndonjë përzgjedhje të trajnerit.
Ai ka thënë se edhe dy ndeshjet tjera do të vazhdojnë punën me stafin e trajnerit dhe pastaj do të shohin.