Shkencëtarët po mundohen t’i matin efektet e ndotjes së ajrit në Londër, duke e monitoruar shëndetin e mushkërive të nxënësve.
Pothuajse 3 mijë e 500 nxënës po marrin pjesë në një studim katërvjeçar për të treguar nëse përpjekjet për ta përmirësuar cilësinë e ajrit të kryeqytetit britanik kanë pasur ndikim në shëndetin e fëmijëve.
Studiuesit nga Universiteti Queen Mary në Londër kanë thënë se fëmijët janë posaçërisht të ndjeshëm ndaj ndotjes së ajrit nga trafiku i automjeteve
Studiuesi James Scales ka thënë se fëmijët janë më të ndjeshmit ndaj ndotjes së ajrit.
“Fëmijët janë posaçërisht të ndjeshëm për shkak se janë në një periudhë të rritjes së shpejtë, ku organet kryesore si: zemra, mushkëritë dhe truri, që po ndikohen nga ndotja e ajrit, rriten shumë shpejt. Kemi treguar se ndotja e ajrit e ngadalëson rritjen e mushkërive dhe e dimë se kjo rritje e ngadalësuar në fëmijëri sjell vështirësi në moshën e rritur, si astma apo sëmundje të tjera respiratore”.
Këta monitorë të aktivitetit – së bashku me kontrollet vjetore shëndetësore – do t’u tregojnë studiuesve nëse shëndeti i nxënësve po përmirësohet për shkak të cilësisë më të mirë të ajrit.
Shkolla fillore në lagjen Kennington është disa metra brenda Zonës me Emetime Shumë të Ulëta të Londrës, një skemë që është paraqitur në prill të 2019-s.
E krijuar për ta përmirësuar cilësinë e ajrit në Londër, zona gjobit veturat që hyjnë brenda saj dhe të cilat nuk i plotësojnë standardet e caktuara të emetimeve.
Një vajzë 10-vjeçare është shprehur e shqetësuar me nivelin e ndotjes në Londër.
“Në Londër ka shumë vetura dhe nuk ka shumë makina elektrike, kështu që vendi është shumë i ndotur”.
Në studim po marrin pjesë 84 shkolla, përfshirë pothuajse 3 mijë e 500 fëmijë të moshave 6 deri 9-vjeçare.
Mësuesi Gareth Morris shpreson se studimi do të mund të sjellë ndonjë ndryshim.
“Po shpresojmë se ky studim do të ketë ndikim që shkollat të kenë përreth zona me emetime të ulëta gjatë kohës kur fëmijët i ekspozohen nivelit të lartë të emetimeve kur shkojnë apo kthehen nga shkolla”.
Ky studim mund të tregojë nëse rregullat si zonat e emetimeve të ulëta do ta ulin ndotjen e ajrit dhe do ta përmirësojnë shëndetin e fëmijëve.
Vitin e kaluar në një hetim të dytë historik një mjek i gjyqit vlerësoi se ndotja e ajrit ishte shkaktarja e vdekjes së nëntëvjeçares Ella Kissi-Debrah që pati një sulm astme.
Vitin e kaluar, pas ekzaminimeve të mjekëve, gjykata vendosi se nëntëvjeçarja Ella, pas një sulmi astme, vdiq për shkak të niveleve të larta të ndotjes afër shtëpisë së saj. Ajo u bë personi i parë në Britaninë e Madhe që është vërtetuar se ka vdekur nga ndotja e ajrit.