Fest 64/ Nata e “Nostalgjisë” bën bashkë brezat, zbardhen 5 finalistët e rinj, Vasili: Skena e identitetit tonë kulturor që ka bashkuar shqiptarët përmes tingujve

albnews
By
4 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Nata e tretë e Festivalit të 64-të të Këngës në RTSH nuk ishte thjesht një garë, por një festë e madhe e kujtesës kolektive. Skena e Pallatit të Kongreseve u shndërrua në një makinë kohë, ku hitet e pavdekshme u rikthyen të riorkestruara, duke bërë që publiku të këndojë dhe kërcejë nën ritmet e këngëve që kanë formësuar identitetin muzikor shqiptar.

Artistët konkurrentë u ngjitën në skenë përkrah ikonave të muzikës si Anxhela Peristeri, Eneda Tarifa, Elton Deda, Sidrit Bejleri, Jonida Maliqi, Kastriot Tusha, Vikena Kamenica, e shumë të tjerë, duke krijuar një urë lidhëse mes dy brezave.

Mesazhi i Eni Vasilit: Festivali, shtyllë e identitetit tonë kulturor

Një nga momentet më kulminante të mbrëmjes ishte fjala e Drejtoreshës së Përgjithshme të RTSH-së, Eni Vasili. Ajo e cilësoi Festivalin si një shtyllë të identitetit kulturor që ka mbijetuar përtej sistemeve politike.

“Ndoshta në këtë festival ka ndodhur ajo që politika do të kishte dashur shumë ta realizonte: shqiptarët nga e gjithë bota të mblidheshin në Tiranë, në qendrën e shqiptarisë. Ky festival do të jetojë gjatë,” u shpreh Vasili.

Ajo solli në vëmendje vitin e largët 1972 dhe vitet ’90, duke theksuar se kjo skenë ka qenë pasqyra e dëshirës së shqiptarëve për t’u ndjerë pjesë e Europës.

“Këtu ka ndodhur diçka që nuk ka ndodhur askund tjetër: shqiptarët janë bashkuar. Nga të gjitha trevat, ata kanë ardhur, kanë kënduar, kanë garuar dhe kanë qenë bashkë,” theksoi Drejtoresha e RTSH-së, duke falënderuar “armatën” e njerëzve që e kanë mbajtur gjallë këtë institucion për 64 vite.

Çmimi i karrierës

Ndryshe nga vitet e tjera, Çmimi i Karrierës këtë edicion nuk shkoi për një individ, por për një organizëm të tërë: Orkestrën Simfonike të RTSH-së. Eni Vasili e cilësoi orkestrën si “xhevahirin në kurorën e çdo festivali”, pa të cilën ky event nuk do të ishte i mundur.

Çmimi u tërhoq nga drejtoresha e Orkestrës, Blerta Ristani, e cila u shpreh: “Jam tejet e nderuar në emër të 65 muzikantëve. Ata bëjnë profesionin më të bukur në botë. Kjo është magjia e të bërit muzikë së bashku.”

Juria: Niveli artistik në rritje

Anëtarët e jurisë, Zef Çoba dhe Valentin Veizi, vlerësuan maksimalisht Fest 64. Kompozitori Çoba e cilësoi festivalin si “ngjarjen më të madhe artistike të vitit”, ndërsa Veizi, i rikthyer në atë sallë pas 28 vitesh, shprehu bindjen se nga ky edicion do të dalin këngë që do të mbeten gjatë në zemrat e publikut.

Kush janë 5 debutuesit që shkojnë në Finale?

Nata e tretë shënoi edhe një moment vendimtar për garën. Nga 10 artistët debutues që performuan, juria përzgjodhi 5 më të mirët që sigurojnë biletën për në finalen e madhe.

Artistët e rinj që kualifikohen janë:

Giti

Endri Kaçaçi

Saviana Vjerdha

Sheila Haxhiraj

Rigersa Loka

Tashmë sytë janë drejtuar nga nata finale, ku do të shpallet fituesi i edicionit të 64-të dhe përfaqësuesi i Shqipërisë në Eurovision.

Share This Article