Festivali i filmit në Kanë nis muajin e ardhshëm edicionin e 75-të, me prodhimin për zombit të titulluar “Z” të Michel Hazanavicius, regjisor i filmit fitues të çmimit Oskar “The artist”.
“Është një komedi për zombit, i dyti në radhë që çel festivalin e filmit në Kanë. I pari ishte ai i 2019, “The dead don’t die” dhe tani ky film, që ngjall pasionin për kinemanë”, thotë Thierry Fremaux, delegat i përgjithshëm i Festivalit të Kanës.
Festivali i filmit në Kanë starton më 17 maj dhe zgjat për 11 ditë rresht, me prodhimet kinematografike që shfaqen premierë, si “Top Gun Maverick” me Tom Cruise apo biografia “Elvis” me regji të Baz Luhrmann, me protagonist kryesorë yjet e kinemasë Austin Butler dhe Tom Hanks.
Fremaux konfirmoi po ashtu se pjesë e garës për një “Palmë të Artë” janë edhe filmat “Crimes of the Future” të David Cronenberg me aktorët Viggo Mortensen, Lea Seydoux dhe Kristen Stewart si dhe “Armageddon Time,” një film me regji të James Gray, drama që bën bashkë kastin e aktorëve Anne Hathaway, Jeremy Strong dhe Anthony Hopkins.
“Kemi njoftuar tashmë se filmi i ri që çel siparin e premierave në Kanë është “Top Gun: Maverick”, me praninë edhe të Tom Cruise. Jemi shumë të lumtur që ai do marrë pjesë. Madje do të japim edhe një çmim nderi për Tom Cruise”, shton Fremaux.
Festivali, siç është njoftuar që në muajin mars, ka përjashtuar çdo prodhim dhe delegacion rus nga aktivitetet e saj, deri në përfundim të luftës. Por në kategorinë e projekteve të reja, në festival do të shfaqet premierë edhe filmi i regjisorit ukrainas Maksim Nakonechnyi, i realizuar javët e fundit në Ukrainë. Titulluar “Butterfly Vision,”, filmi gjurmon historinë e një vajze të re ukrainase, e cila rikthehet në vendin e saj, pasi u kap rob e më pas u lirua.
Festivali i filmit në Kanë bën bashkë në rivierën franceze, qindra personalitete të kinemasë botërore, që i sjell ekonomisë së dytë të Europës, miliona euro të ardhura.
Tashmë prenotimet për 11 ditë, nga data 17 deri më 28 maj janë mbyllur, me hotelet luksoze të zëna për të pritur yjet e showbizit, regjisorë e mediat nga e gjithë bota që pasqyrojnë parakalimin mbi tapetin e kuq e premierat e filmave, që paralelisht do të shfaqen edhe në kinematë botërore.