Glastonbury, festivali më i madh i muzikës në botë, hapi dyert për rreth 200,000 fansa të cilët do të shijojnë nga afër performancat nga Olivia Rodrigo te Rod Stewart dhe Charli XCX.
Organizatorja e festivalit, Emily Eavis, tha se ishte “e mrekullueshme” të mirëpriste festuesit e parë në Worthy Farm në Anglinë jugperëndimore me babanë e saj, Michael, i cili themeloi eventin në vitin 1970.
Të gjitha biletat e edicionit të këtij viti u shitën në kohë rekord. Grupi pop-rok The 1975 do të ngjitet në skenën kryesore të Pyramid të premten, ndërsa Neil Young do të jetë në koncert të shtunën. Këngëtarja 22-vjeçare amerikane Olivia Rodrigo do ta mbyllë shfaqjen të dielën.
Grupi irlandez i repit Kneecap do të performojë gjithashtu, disa ditë pasi një nga anëtarët e tij u akuzua për terrorizëm për shkak të dyshimeve se shfaqi një flamur në mbështetje të grupit militant Hezbollah të mbështetur nga Irani.
Kryeministri i Britanisë, Keir Starmer, i tha gazetës Sun se “nuk ishte e përshtatshme” që grupi të shfaqej.