Nënkryetari i FIFA-s, Victor Montaglioni ka thënë se lëvizja e stinorit të futbollit evropian në vitin kalendarik është një “mundësi për t’u diskutuar”, pasi që pandemia e koronavirusit ka pezulluar futbollin thuajse në gjithë botën.
Në një intervistë për Radio Sportiva në Itali, Montagliani, që vlerësohet i afërt me kryetarin e FIFA-s, Gianni Infantino, ka thënë se lëvizja mund të përshtatet me zhvillimin e Botërorit 2022 në Katar në nëntor dhe dhjetor.
Udhëheqësi i shtëpisë botërore të futbollit ka thënë më herët se futbolli do të jetë krejtësisht ndryshe kur të rifillojë dhe se ndërprerja aktuale mund të jetë rast i mirë për të rregulluar kalendarin e mbingarkuar, që do të zgjasë deri në vitin 2024.
“Ne kemi mundësi pasi Botërori 2022 në Katar do të luhet në nëntor dhe dhjetor. Kjo mund të jetë një ide”, ka thënë Montagliani, që është kryetar i konfederatës CONCACAF.
“Këtu në Amerikë, stinori tashmë luhet gjatë vitit kalendarik. Kjo ndoshta është një zgjidhje që mund të shfrytëzohet në Evropë dhe Afrikë. Është e mundshme të diskutohet në nivel nacional dhe kontinental”, ka shtuar ai. Sipas zyrtarit të lartë të FIFA-s “kjo nuk është një ide që duhet të hedhet poshtë, pasi mund të jetë një zgjidhje për dy vitet e ardhshme dhe për Botërorin që do të mbahet në dimër”.
Një numër i ligave evropiane, duke përfshirë ato të Italisë, Gjermanisë dhe Anglisë, ende shpresojnë të përfundojnë edicionin. Por kjo mund të ndikojë që kampanja 2020\2021 të shtyhet. UEFA po ashtu dëshiron të përfundojnë Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës.
Në shumicën e vendeve të Evropës stinori i futbollit luhet në vjeshtë dhe në pranverë të vitit pasardhës.
“Ne tashmë kemi nisur të mendojmë për kalendarin e ri nga viti 2024. Me krizën aktuale, na duhen përgjigje të menjëhershme”, ka shtuar Motagliani.
Ideja e stinorit gjatë vitit kalendarik ishte shtyrë përpara edhe në të kaluarën, duke përfshirë edhe Karl-Heinz Rummeniggen, kur ai ishte udhëheqës i Asociacionit Evropian të Klubeve.
“Në çdo vend, duke përfshirë Gjermaninë, Francën apo Anglinë, vera është periudha më e mirë e vitit. Ndërsa ne në atë periudhë nuk luajmë”, kishte thënë ai për “France Football” në vitin 2013. “Në dimrin e thellë, kur është ftohtë dhe bie borë, ne luajmë. Kjo nuk është e drejtë për lojtarët dhe tifozët. Nuk është logjike”.