Me titullin “Belgjika në krye, Kosova arrin ngjitjen rekorde”, faqja zyrtare e FIFA-s ka lavdëruar paraqitjet e Kombëtares së Kosovës në ndeshjet eliminatore për EURO 2020.
Fitorja ndaj Çekisë dhe ndeshja me Anglinë, kanë marrë vëmendjen e FIFA-së, që në postimin për ranglistën e re, ka shkruar me fjalë të mëdha edhe për Kosovën, duke e vendosur edhe fotografinë e “Dardanëve” në ballinë.
Kosova ka shënuar sërish ngjitje në renditjen e re të FIFA-s, dhe tani pozicionohet një vend më lart, në vendin e 119-të, që natyrisht është edhe pozita më e mirë, që prej pranimit në UEFA dhe FIFA më 2016.
“Ndërkohë, Kosova (në pozitën e 119-të, plus një pozitë) është shpërblyer për paraqitjet e guximshme në kualifikimet për Kampionatin Evropian 2020, duke e arritur pozitën më të lartë”, shkruhet në faqen e FIFA-s, raporton KTV.
Kosova tani grumbullon 1164 pikë, 15 pikë më shumë seç kishte deri tani, falë fitores së rëndësishme në kualifikime për Euro 2020 kundër Republikës së Çekisë (2:1) në fillim të këtij muaji në Prishtinë.
“Dardanët”, që ndodheshin në pozitën e 120-të para publikimit të renditjes së fundit, tani lënë mbrapa Namibinë, Angolën dhe Zelandën e Re.
Në ranglistën e FIFA-së, Belgjika prin në vendin e parë, para Francës, Brazilit Anglisë e Portugalisë.