Filmi debutues me skenar dhe regji nga Durim Kryeziu dhe me producent Bardhyl Bejtullahun është një ndër filmat e përzgjedhur Just Film Works in Progress në Black Nights Film Festival në Tallin të Estonisë.
“Familja” përcjellë Lonën, një vajzë 16 vjeçare e rritur në një familje tradicionale, e cila vendos ta ndjek pasionin e ri të saj për muzikën rok. Filmi i trajton raportet kontradiktore familjare mes tradicionales dhe bashkëkohores.
“Po me vjen shumë mirë që në këtë fazë jemi të përzgjedhur në një festival të kategorisë A dhe besoj se do të arrijmë të gjejmë koproducent për ta finalizuar filmin. Jam krenar që puna e gjithë ekipës është vlerësuar” u shpreh Durim Kryeziu, regjisori i filmit.
Drejtor i fotografisë: Isak Duraku, Skenograf: Zeni Ballazhi, Kostumografe: Natyra Simnica, Grimi: Pranvera Metolli, Kompozitor: Leonard Canhasi, Zëri: Labinot Sponca, Producent i terenit: Butrint Lumi, Organizator: Arben Bajgora.
Rrolet i luajnë: Eli Gashi, Hazir Sh. Haziri, Arbnesha Nixha, Xhevat Qorraj, Elvir Tahiri, Lum Veseli, Lulzim Guhelli, Luan Daka, Avdi Gervalla, Labinot Lajçi, Urim Canhasi, Ideal Nrecaj, Rron Ukimeraj, Vjollcë Osmani.
Filmi është prodhim i shtëpisë filmike “2B studio”, dhe është subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe sponzoret: Meridian, Petrol Company, Furra “Qerimi”, Kompania “Loti”, Ujë pika.
Njëkohësisht në po të njëjtin festival filmi “Në mes” nga Samir Karahoda do të shfaqet në kuadër të kategorisë Shorts International Live Action. Tallin-i është vetëm festivali i radhës nga shumë festivalet nëpër të cilat ka udhëtuar filmi Kosovar “Në mes” pas premierës së tij në Berlinale në muajin shkurt.
Po ashtu në kuadër të kategorisë Shorts New Talents Competition të Black Nights është edhe filmi ‘Bini’ i regjisorit Kosovar Erblin Nushi.