Filmime të pa para më herët nga arkivi personal i mbretëreshës Elizabeta e Dytë, që e paraqesin atë si nënë e re dhe e vënë theksin në unazën e saj të fejesës – do të shfaqen në një dokumentar, sipas një njoftimi të BBC-së.
Monarkja i ka dhënë qasje BBC-së në qindra filmime të xhiruara nga ajo, prindërit dhe bashkëshorti tashmë i ndjerë Princi Filip, si pjesë e festimeve për shënimin e jubileut të saj të 70-të në fron. Videot paraqesin jetën e mbretëreshës që kur ishte foshnje deri tek ceremonia e kurorëzimit të saj në vitin 1953.
Një klip paraqet vizita e parë e Filipit në kështjellën “Balmoral” në Skoci më 1946, para se fejesa e tij me Elizabetën të bëhej publike. Klipi paraqet princeshën Elizabetë duke e treguar unazën e fejesës në kamerë.
Filipi dhe Elizabeta u martuan në nëntorin e 1947-ës dhe ishin të martuar për 73 vjet, derisa Filipi vdiq prillin që shkoi, vetëm disa muaj para ditëlindjes së tij të 100-të.
Simon Young, redaktor i përmbajtjeve programore të fushës së historisë në BBC, tha se i gjithë ekipi prapa realizimit të dokumentarit është ndier i nderuar që u është dhënë mundësia të kenë qasje në koleksionin personal të filmimeve të mbretëreshës.
“Ky dokumentar është një vështrim i jashtëzakonshëm dhe shpërfaq një anë krejtësisht personale të familjes mbretërore që shihet rrallë, dhe është e mrekullueshme ta ndajmë këtë me të gjithë në jubileun e saj të Platinit”.
“Elizabeth: The Unseen Queen” do të transmetohet në Britani të Madhe më 29 maj, në javën e festimit nacional për shënimin e 70-vjetorit të mbretëreshës në fron.