Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po përgatitet të themelojë në Davos një “Bord të Paqes” (Board of Peace) për Gazën. Sipas një analize të gazetës britanike “Financial Times”, kjo organizatë e re po shihet si një rivale e drejtpërdrejtë e OKB-së dhe një mjet për të riformatuar rendin botëror sipas interesave të Uashingtonit.
Në listën e anëtarëve nismëtarë, të cilën Trump pritet ta bëjë publike të enjten, bëhet fjalë për një përzierje të pazakontë liderësh. Aty janë: gjashtë monarkë dhe tre ish-aparatçikë sovjetikë (përfshirë udhëheqësit e Bjellorusisë, Kazakistanit dhe Uzbekistanit). Pastaj regjime ushtarake dhe liderë nën akuzë, si diktatori rus Vlladimir Putin, ose nën hetime si kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu.
Trump e ka cilësuar këtë si “bordin më prestigjioz të formuar ndonjëherë”, duke pranuar se ka përfshirë figura kontreverse sepse, sipas tij, “ata janë njerëz që e kryejnë punën”.
Deri më tani, Hungaria e Viktor Orbanit është i vetmi vend i BE-së që i është bashkuar zyrtarisht bordit. Liderët e tjerë, përfshirë ata të Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë, po tregohen të matur, të vetëdijshëm se një refuzim i hapur mund të pasojë me “shkopin” e preferuar të Trumpit: tarifat shkatërruese tregtare, shkruan gazeta britanike.
Kujtojmë se Trump kërcënoi së fundmi Francën me tarifa 200 për qind mbi verërat dhe shampanjën, pasi Presidenti Macron refuzoi ftesën për të qenë pjesë e “Bordit të Paqes”.
Sipas “Financial Times”, statuti i këtij bordi i jep Donald Trumpit pushtet pothuajse absolut. Ai pritet të shërbejë si kryetar për aq kohë sa dëshiron dhe ka kompetencën ekskluzive për të dëbuar anëtarët ose për të vendosur për pasardhësin e tij.
Ndërsa OKB-ja numëron 193 anëtarë, “Bordi i Paqes” i Trumpit synon të nisë punën me rreth 35 shtete, por me një peshë që bazohet te fuqia ushtarake dhe kontrolli i burimeve energjetike, duke injoruar normat e vjetra të multilateralizmit. Kjo lëvizje vjen në një moment tensionesh të larta, ku SHBA ka shfaqur pretendime të hapura për kontrollin e Grenlandës dhe Arktikut, duke e cilësuar rendin e vjetër ndërkombëtar si të vdekur.

