Fitorja e kandidatit të Bashkisë Himarë, Fredi Beleri, ka bërë jehonë në mediat greke. Fredi Beleri fitoi me një diferencë të ngushtë prej 19 votash ndaj rivalit Jorgo Goro.
Televizionet kryesore greke e konsiderojnë një thriller elektoral atë që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit gjatë procesit të numërimit të kutive të votimit në stadiumin e Himarës.
Gazetarët e dërguar në Himarë kanë pasqyruar festimet dhe shprehen se Fredi Beleri e ka marrë lajmin për triumfin si kryebashkiak i ri i këtij qyteti në qelitë e paraburgimit të Tiranës, ku u dërgua 48 orë pas arrestimit me një vendim të Prokurorit të Vlorës.
Në zonë, sipas gazetarëve grekë, ka pasur tensione dhe incidente gjatë numërimit të votave, proces që u ndërpre për disa minuta. Në qendrat e votimit të Himares ka patur vëzhgues të OSBE-së, për herë të parë edhe një mision i Ministrisë së Jashtme greke si dhe diplomatë të ambasadës greke në Tiranë.
“Më herët në mëngjes janë shënuar incidente. Për shkak të tensionit, numërimi i votave u ndërpre për disa minuta. Mediat shqiptare raportuan disa herë të dielën në Himarë, duke e cilësuar procesin zgjedhor si “të pazakontë” pasi një nga kundërshtarët kryesorë ndodhet në paraburgim”, shkruan Protothema
Po ashtu mediat greke sjellin në vëmendje deklaratën e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis i cili ditën e djeshme theksoi se nëse Shqipëria vazhdon me keto politika si arrestimi i Belerit do të cënohen raportet mes dy vendeve dhe integrimi i Shqipërisë në BE.