Inter siguroi fitoren e tretë radhazi ndaj Spezias. Zikaltrit e Simone Inzaghit triumfuan 1-3 në transfertë, dhe tani renditën në vend të dytë me dy pikë më pak se Milani kryesues, por me një ndeshje më shumë në dispozicion.
Një nga pikat më të forta të kampionëve në fuqi, Milan Skriniar deklaroi pas fitores ndaj skuadrës së Rey Manajt se pika e kthesës ishte ai sukses 0-1 përballë Juventusit në Torino (3 prill).
“Mendoj se ndeshja me Juventusin na ka ndihmuar shumë nga të gjithë këndvështrimet, na mësoi se si të dimë të vuajmë. Ne tentojmë gjithmonë të fitojmë, vazhdojmë ta bëjmë një gjë të tillë.
Jam i lumtur që mund të ndihmoj skuadrën aty ku ka nevojë trajneri. Jam i lumtur kur skuadra fiton, ky është qëllimi im. Kur bëj një performancë të mirë është edhe më mirë.
Nuk është momenti për t’u dorëzuar. Ndaj Spezias e ndërlikuam pak situatën në fund, porn a shkoi gjithçka mirë. Ka shumë ndeshje deri në fund, gara për titullin është e hapur”, deklaroi mbrojtësi sllovak i Interit.